Transmetuar më 27-12-2019, 02:15

Vetë i pestë në makinë, një baba është nisur për rrugë dhe ka vazhduar itinerarin pa e kuptuar se një nga të vegjlit e tij nuk ndodhej më brenda mjetit.

Gjithçka ndodhi sot pasdite në qytetin e Shkodrës, raporton noa.al.

H. Kurtaj, 50 vjeç, baba i katër fëmijëve, aty nga ora 17.25, po udhëtonte me mjetin e tij në lagjen “Skenderbeg".

Brenda në makinë kishte 4 fëmijët e tij. Por një prej tyre, i ka rënë aksidenatlisht nga mjeti.

Policia thotë se po e heton ngjarjen dhe rrethanat e saj. Është e paqartë si babai nuk arriti dot të kuptojë rrëzimin e të birit nga makina. Por për më tepër në mjet gjendeshin dhe 3 fëmijët e tjerë të Kurtajt.

Selaudin Kurtaj, 5 vjec, tani po trajtohet në Spitalin Rajonal Shkodër.

Mjeku i Urgjencës në Shkodër thotë se fëmija 5-vjeçar i cili ra nga xhami i pasmë i makinës së babait të tij është në gjendje të rëndë dhe është futur në reanimacion, pasi ka marrë dëmtime në pjesën e pasme të kokës.

Mjeku Astrit Lahi tha se është herët për të thënë nëse e ka kaluar gjendjen kritike për jetën, megjithatë po i bëheb ekzaminimet e nevojshme herë pas here për të parë gjendjen e tij.

“Gjendja e fëmijës është praktikisht e rëndë si pasojë e një traume. Pa koshiencë, ishte gjetur nga qytetarët në rrugë. Kishte plagë në pjesën e pasme të kokës dhe me çrregullime të frymëmarrjes. Është në ekzaminime në vazhdimësi. Për momentin është në reanimacion. Është herët për të folur, se paraqet shenja.

E sollën qytetarët të rrëzuar. Nuk kishin asnjë informacion për të. Është paraqitur edhe i ati i cili na ka thënë se ka rënë nga xhami i pasmë. Dëmtimin fëmija e ka pas koke",- tha Shefi i Urgjencës, Astrit Lahi.

Teksa ka dëshmuar për ngjarjen e rëndë, 50-vjeçari, H Kurtaj është shprehur se nuk e ka ndjerë se fëmija i kishte rënë nga xhami i makinës, ndërsa së bashku në makinë me të udhëtonin edhe tre fëmijët e tjerë të tij.

Pas disa kilometrash ai ka kuptuar se çfarë kishte ngjarë dhe ka mësuar së fëmijën e ka në spitalin e Shkodrës dhe ka shkuar për të mësuar mbi fatin e djalit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd