Transmetuar më 26-12-2019, 21:53

Edhe pak ditë kanë mbetur për t’u mbyllur viti 2019, vit që nuk kishte ndonjë arritje të madhe për t’u mbajtur mend nga klasa politike.

Presidenti Ilir Meta i ftuar në "360 Gradë" në RTV Ora, pranoi se 2019-ta ishte një vit zhgënjimesh, në të gjitha drejtimet.

Presidenti Meta, bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama, për situatën në të cilën ndodhet aktualisht vendi, mbi tensionet e vazhdueshme politike që ka përjetuar, sikurse edhe ato të fundit në raport me Kosovën.

Duke ju referuar tensioneve mes Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare, Meta e sheh të provokuar qëllimisht këtë tensio.

“Tensioni nuk është rastësisht as në Shqipëri dhe as në këto raporte. Pas gjithë këtij tensioni të sponsorizuar dhe provokuar qëllimisht në fund fare qëndron dëshira për të na paraqitur në këtë mënyrë, shqiptarët janë kështu kudo, nuk dinë të merren vesh”, – u shpreh Presidenti. – “Nuk mendoj se është kështu. Ky ka qenë një vit zhgënjimesh në tërësi, në të në gjitha drejtimet. Asgjë nuk duhet mohuar në jetën e njeriut dhe jetën e një vendi”.

Lidhur me vitin që vjen, pra 2020-ën, kreu i shtetit tha, se na mbetet të shpresojmë, por duke reflektuar nga gabimet.

“Le të shpresojmë dhe reflektojmë thellë dhe të na kthehet gjithë kjo eksperiencë në një motiv jo thjesht për të shpresuar por për të punuar dhe angazhuar së bashku që Shqipëria të vendoset në shinat e normalitetit të një vendi demokratik, shtetit të së drejtës, ku qytetarët jo vetëm dëgjohen por edhe vendosin”.

“Dhe natyrisht Shqipëria të mos jetë një model i keq për Kosovën kur i ka pasur të gjitha mundësitë për shkak dhe të eksperiencës si një shtet më shumë se një shekull për të qenë shembull më pozitiv”, u shpreh Meta.

Lidhur me situatën e tensionuar politike gjatë vitit që po lëmë pas, Presidenti Ilir Meta bëri fajtor kryesor kryeministrin dhe tha se për të mbuluar pikërisht këto dështime del me teza herë pas here në dëm të Kosovës, si rasti i minishengenit ballkanik.

“Tensioni në Shqipëri është i provokuar qëllimisht. Shqipëria është çdo ditë në tension, nga tensioni në tension, nga konflikti në konflikt. Tensioni qëndron te arbitrariteti për fat të keq i një individi që pavarësisht sesi, ka rrëzuar një sistem të tërë llogaridhënës dhe demokratik në vend të cilin e ka arritur me mjaft sukses gjatë vitit që po mbyllim”.

“Të gjitha këto dështimet kërkon ti mbulojë duke krijuar dhe debate krejt të panevojshme, nuk është hera e parë. Është një strategji për të drejtuar dhe mbijetuar pa rregulla loje përmes kapjes së gjitha institucioneve, mediave, përmes presioneve, linçimeve të gjithë atyre që mendojnë ndryshe jo vetëm në Shqipëri por edhe Kosovë”.

Ndoshta këtë vit, në samitin e Zagrebit, në maj 2020, pas tre dështimeve Shqipërisë do t’i çelen negociatat e pranimit në BE. Presidenti Meta, mbi këtë çështje, thotë në vend që të bëhen përpjekje për të bindur vendet skeptike, qeveria po fokusohet në teza që i përdor mjeshtërisht Serbia.

“Një Shqipëri që ka 4 vjet që bën hapa pas me BE, shtohen kushtet. Sigurisht nuk mund të jetë modeli më i mirë për gjithë shqiptarët në rajon dhe një Shqipëri që paraqitet në mënyrë të padrejtë me teza që në fund fare i përdor me mjeshtëri Serbia për të krijuar paqartësi, pasiguri në planin ndërkombëtar për të ardhmen e Kosovës, apo për t’i paraqitur shqiptarët si revanshistë”, theksoi ndër të tjera Presidenti Ilir Meta./NOA.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd