Transmetuar më 26-12-2019, 20:36

U nda sot tragjikisht nga jeta misionari i pajtimit të gjaqeve në Tropojë Avdi Rexh Malaj.

Avdi Rexh Malaj, simbol i Paqes dhe Solidaritetit njerëzor, është ndarë nga jeta në moshën 95 vjeç.

Ai është konsideruar si një veprimtar i Çështjes Kombëtare, por edhe një misionar në pajtimin e gjaqeve.

Njihej në krahinën e tij e më gjerë si veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, qëndrestar i paepur për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, simbol i paqes dhe solidaritetit njerëzor.

Në Tropojë po ashtu ai njihej edhe si interpret brilant i të Drejtës Zakonore. Avdi Rexhë Malaj në moshën 95 vjeçare i dha fund jetës duke u vetëvrarë.

Nga Bujani i Tropojës, ai e nisi 26 vite më parë misionin e pajtimit të gjaqeve në zonën, ku hasmëritë ishin të përhapura.

“Jam aktivizuar me misionin mbarëkombëtar të pajtimeve qysh në 1993. E kemi larguar njërën palë, i kemi distancuar që të mos takohen përditë, mos ta shohin në sy njëri-tjetrin, se fillojnë ngacmimet. I ka favorizuar ky largim, kanë kërkuar të largohen nga kjo fatkeqësi, i kemi udhëzuar duke u bërë edhe letrat”, ka rrëfyer Rexha, rreth 1 vit më parë, mbi veprimtarinë dhe përpjekjet për pajtimin e gjaqeve në veri të vendit. Avdi Rexhë Malaj do t’i jepet lamtumira e fundit nesër, të premten, ora 12.00, në fshatin Bujan Tropojë. /NOA.al