
Ka nisur punimet legjislatura e 7-të e Kuvendit të Kosovës. Seanca e hapjes u drejtua nga deputeti më i vjetër në moshë, përkatësisht Jahja Koka, i cili përshëndeti fillimisht trupin diplomatik, deputetët dhe qytetarët e Kosovës.
Pika e parë e rendit të ditës ishte formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kourumit dhe mandateve.
Kryesuesi i Komisionit u caktua nga rradhët e LVV, Albulena Haxhiu. Si anëtarë nga LDK u caktua Armend Zemaj, nga PD Ganimete Musliu, kurse subjektet e tjera caktuan si anëtarë Rasim Selmanaj, Sllavko Simiç, Albulena Bala Halimi, Rasim Demiri, Fidan Zhëllta, Veton Berisha, Emilia Rexhepi, Ethem Arifi, Elbet Krasniqi, Adem Hoxha dhe Albert Kinovi.
Kuvendi, ku të pranishëm ishin 111 deputetë, më pas votoi komisionin e përkohshëm për çertifikimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe verifikimin e mandateve.
Edhe pse kanë kaluar muaj që nga zgjedhjet e mbajtura së fundmi, VV e LDK ende nuk kanë një marrëveshje për të qeverisur. Konstituimi i Kuvendit është vënë në pikëpyetje pasi që dy partitë që synojnë formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk kanë arritur ta finalizojnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka konfirmuar të mërkurën se Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion qeverisës.
Ai nuk i ka shpallur të përfunduara negociatat për qeverinë e re, por ka thënë se në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje dhe LDK shkojnë pa marrëveshje.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se negociatat nuk kanë dështuar, por sipas tij "ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së"./b.l/noa.al/