Transmetuar më 26-12-2019, 13:47

“Një numër i madh i Policisë së Shtetit nuk do të ketë festë, do të ketë shërbim”. Kështu tha ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ditën e sotme, teksa inspektoi sallën operative të Drejtorisë së Policisë Tiranë, lidhur masat për festat e fundvitit.

Ai tha se fundi i vitit sjell një ngarkesë të shtuar për Policinë e Shtetit, ngarkesë të cilës policia i përgjigjet me angazhim të shtuar.

Ministri tha se aktualisht policia është e fokusuar në disa drejtime kryesore; e para në drejtimin e menaxhimit të të gjithë fluksit të kalimit në pikat tona kufitare, për arsye se fundi i vitit shton numrin e qytetarëve shqiptarë që hyjnë apo dalin nga territori.

Lleshaj deklaroi se vëmendje e madhe i kushtohet çështjeve të trafikut, sigurisë rrugore në përgjithësi, luftës kundër krimit, mbajtja në monitorim e elementëve me precedentë kriminalë si edhe çështje që kanë të bëjnë me rendin publik.

“Kryesisht dhe fokus i veçantë i Policisë është çështja e ruajtjes së festës nga zhurmat, nga incidentet, nga shpërthimet, nga fishekzjarret, nga kapsollat dhe gjithë elementët e tjerë piroteknikë, të cilët për vite të tëra kanë shqetësuar dhe kanë shkaktuar probleme të mëdha. Pra, për t’i përmbledhur do të thosha që fokusi është:l kufiri, rendi publik, elementët me precedentë kriminalë dhe është përpjekja për të siguruar qetësinë e festës duke e parandaluar me vendosmëri të lartë përdorimin e mjeteve piroteknike, të cilat, siç përmenda, kanë shkaktuar shumë herë, dhe shpesh herë në të kaluarën dëme, deri dhe dëme për jetën. Këto janë pak a shumë çështjet themelore me të cilat po merret Policia e Shtetit”, u shpreh Lleshaj.

Ai cdeklaroi se në sajë të bashkëpunimit dhe telefonatës me policinë, efektivët do të jenë, në kohën e duhur atje ku është e nevojshme. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd