Transmetuar më 25-12-2019, 18:01

Pa dyshim ishte viti që solli shumë stres jo normal dhe të shmangshëm. Nga dita në ditë, nga java në javë u lutëm e shpresuam se nuk do kishte më keq. Por më kot. Thjesht mësuam se e keqja nuk ka fund.

Një vit ku bëmë hapa të dukshme pas në drejtim të funksionimit të shtetit, demokracisë dhe shoqërisë në tërësi.

Kjo e fundit u përça dhe u varfërua më shumë sesa një vit më parë. Polarizimi ekonomik dhe social u theksua më shumë.

Në këto kushte shoqëria shqiptare u vu para sprovash të forta. I kërkohej të mbronte demokracinë përpara një shteti gjithnjë e më represiv. Para një shteti që të nxjerr nga shtëpia me gaz lotsjellës dhe, që nuk të vlerëson as më njeri e jo më për qytetar me të drejta kushtetuese.

Kjo e fundit, pra Kushtetuta, nuk sundon më. Këtë vit mësuam haptazi se si sundon bosi dhe jo ligji, se si ligji u zëvendësua me dëshirën e bosit.

Megjithatë shoqëria reagoi, pavarësisht dhunës shtetërore. Bulevardi i Tiranës nuk ka parë kurrë më parë aq shumë protestues e protesta sesa këtë vit. U protestua në bulevard por edhe tek unaza. U protestua nën dhunën e pashembullt të policisë e cila tregoi fytyrën më të egër të mundshme. Sjellja e saj krejt joproporcionale ishte më e keqja e këtyre viteve të fundit.

Parlamenti humbi pluralizmin përherë të parë pas 30 viteve dhe pushteti lokal u pushtua nga partia e vetme që sundon.

Shteti dhe institucionet e tij janë të gjitha në dorën e një klike moniste që sundon.

Kjo është kriza më e thellë e demokracisë që kemi parë ndonjëherë. Një krizë disi e "bekuar" nga burrokratë e zyrtarucë të huaj që na neveritën hapur vlerat e shoqërisë perëndimore që ishim mësuar ta shohim si perëndi. Raporti i ODHR vuri disa pika mbi i, por që u harruan nga skandale të përjavshme të qeverisë, skandale të cilat shërbyen më së shumti për të harruar të mëparshmet.

Në fakt dështimi më i rëndë yni ishte humbja e rrugës Europiane. Dështuam të bindim gati gjysmën e shteteve të BE që e kemi seriozisht rrugëtimin europian.

Jo vetëm kaq, por për herë të parë zyrtarisht ndaj nesh u ngrit procedurë zyrtare për të na pezulluar eehe arritjen më të madhe të viteve më parë, Lëvizjen e lirë në BE.

Për fat procedural kjo gjë nuk u miratua, por rreziku është ende prezent sepse mesaduket qeveria ka premtuar diku shitjen e pasaportave shqiptare për "pasanikët" e azisë dhe të lindjes.

Nga ana tjetër shumë shqiptarë ikën, shumë të tjetë janë me plaçka në torbë në pritje për të ikur. 2019-ta thelloi emigrimin dhe dëshirën për të ikur nga sytë këmbët. Ç’popullim i frikshëm!

Shpresa është afër zeros! Besimi që Shqipëria ka të ardhme thuajse ka humbur. Vendi po merr pamjen e një azili të madh dhe qytetesh-konvikt me shumë kate. Shumë prej nesh po shohin sistemin komunist si më të mirë nga ky i sotmi.

Si mund të mallkohet më shumë se kaq një shoqëri!!!

Para e madhe është vërdallë, por paraja shkon vetëm te paraja. Ai që skishte këtë vit nuk pati akoma më shumë. Ai që kishte këtë vit vuri më shumë.

Populli paguan taksa e tarifa të rritura për shërbime, shumë më shtrenjtë se një vit më parë.

Demokracia mori goditje fatale me humbjen e pluralizmit politik, me votimet moniste dhe me represionin ndaj fjalës së lirë. Shqiptarëve iu hoq hapur e drejta për të zgjedhur dhe së fundi edhe liria për t’u shprehur.

Politika në humbi ndjeshëm besimin e publikut. Ky i fundit i keqqeverisur, i grabitur e i mashtruar preferoi që ta shohë politikën thjesht si lajm, jo si shpresë për ndryshim.

Prona dhe të drejta të tjera themelore u shkelën këtë vit si kurrë më parë, nga shteti me "policinë që duam". Ndalime, arrestime e goditje njerëzish pa ligj e pa prova, por thjesht të nxitura nga porosia apo urdhëri politik i pamë më shumicë. Natën, ditën, në shtëpi, në rrugë e kudo njerëzit humbën sigurinë ligjore shumë më shumë se viti paraardhës.

Në fund tërmeti. O zot bëje mirë, por humbën dhe jetë njerëzish që jetonin në godina të pa banueshme. Shteti ishte askund, as para e as pas tërmetit. Një fatkeqësi natyrore që nxori në dritë të diellit se sa keq qeverisemi dhe se sa pa shtet jemi!

E kështu me radhë, stres pa fund kaluam këtë vit, sipas paradigmës "skeni parë gjë akoma"! E vetmja që u vërtetua katërcipërisht!

Një vit nga jeta jonë iku nën këtë stres kaotik të përhershëm, vetëm për shkak të faktit se politika është e çmendur përveç veseve të vjetra që i ka patur…

Teatri dhe show i qelbur i politikës prodhoi vetëm stres.

Show më i qelbur ishte minischengeni. Show që fyu rëndë shqiptarët në histori dhe në inteligjenë.

Sinqerisht mos ardhtë më ky vit!

Gëzuar ditën e lindjes së Krishtit dhe urimet më të mira për vitin e ri!