Transmetuar më 25-12-2019, 11:00

Bakllavaja me arra, lajthia ose stika të mbështjella me petë të holla brumi, me sherbet të ëmbël, mjaltë dhe erëza, të cilat shfaqen në shumë forma dhe shije, mbetet ëmbëlsira e preferuar në shumë anë të botës. Prej shumë vitesh tashmë, traditë e natës së ndërrimit të viteve në Shqipëri, bakllavaja mbetet “qershia mbi tortë” e festës së Vitit të Ri. Por ne ju ofrojmë një tjetër recetë ëmbëlsire e cila mund t’i shtohet tryezës suaj.

Përbërësit për tavë me diametër 28 cm.

Për brumin: 140 g gjalpë i butë, 75 g sheqer pluhur, 2 g kripë (me majat e gishtave kapni pak kripë), 25 g miell bajamesh, 1 vezë, 250 g miell, tipi 0 ose 00.

Për mbushjen: 80 g gjalpë i butë, 120 g sheqer kaf, pak kripë, 130 g shurup panje ose mjaltë, 3 vezë, 150 g arra pekan në thërrime ose arra të zakonshme në thërrime, 200 g arra pekan të qëruara.

Përgatitja: Brumi: në një tas hedhim gjalpin, sheqerin pluhur, miellin e bajameve, kripën dhe vezën. I përziejmë me lugë druri. Shtojmë miellin dhe e punojmë shumë pak me dorë, pasi brumit nuk i bën mirë ngrohtësia. E mbështjellim me plastmasë kuzhine dhe e lëmë në frigorifer 2 orë ose më mirë akoma, një natë.

Të nesërmen ose 2 orë më pas e nxjerrim nga frigoriferi, e punojmë pak me dorë dhe e hapim me petës me pak miell me trashësi 2-3 mm, duke i dhënë formën e tavës (do t’ju teprojë pak brumë dhe mund ta bëni biskota). E shpojmë bazën me pirun në shumë vende dhe fusim tavën në ngrirje për 30 minuta ose në frigorifer për 1 orë.  E pjekim bazën në furrën e ngrohur më parë në temperaturën 180° C, derisa të marrë ngjyrë të artë (rreth 20/25 minuta). E nxjerrim dhe e lëmë të vaket.

Ndërkohë përgatisim mbushjen: në një tas përziejmë me rrahëse vezësh me dorë ose lugë druri gjalpin me sheqerin, kripën, shtojmë shurupin e panjës ose mjaltin, vezët një nga një dhe i përziejmë akoma. Në fund shtojmë 150 g arrat në thërrime. E hedhim të gjithë masën në tavë. Vendosim sipër në formë rrethi arrat pekan dhe e pjekim për 30 minuta të tjera në temperaturën 170° C. Pas 15 minutash mos harroni ta mbuloni me letër alumini, pasi arrat digjen shumë shpejt. E lëmë të ftohet dhe është gati për t’u konsumuar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd