Transmetuar më 24-12-2019, 13:57
Pamje nga lenda narkotike e sekuestruar

Një operacion i policisë së Lezhës, i koduar “Tranzit”, ka vënë në pranga dy persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, të kapur me drogë.

Mbi bazën e informacionit të siguruar në rrugë operative se në një automjet po transportohej lëndë narkotike nga Tirana në drejtim të Shkodrës, me qëllim trafikimin nëpërmjet kufirit jeshil drejt malit të Zi, ndërhynë uniformat blu.

Kështu në afërsi të një karburanti në fshatin Tresh, Lezhë, u gjet dhe bllokua mjeti tip “Benz”.

Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, në sediljen e pasme dhe në bagazh 52 kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar kanabis sativa.

Nga veprimet hetimore, rezultoi se mjeti tip “Benz” që transportonte lëndën narkotike ishte në pronësi të shtetasit A. K., dhe paraprihej nga një mjet tjetër, me qëllim vënien në dijeni në rast konstatimi të punonjësve të policisë.

Në vijim të veprimeve, policia ka bërë ndalimin e I. R., 26 vjeç dhe E. B., 33 vjeç, banues në Shkodër, të cilët ndodheshin në mjetin paraprijës, si dhe shpalljen në kërkim të shtetasit A. K., 29 vjeç, banues në Shkodër dhe vijon puna për kapjen e tij.

I riu, kur ka kontatuar që shërbimet e policisë kanë bllokuar automjetin që i paraprinte, ka mbyllur automjetin në afërsi të një karburanti dhe është larguar me shpejtësi.

Aktualisht vijojnë hetimet lidhur me këtë ngjarje për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd