Transmetuar më 24-12-2019, 11:00

Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së kryesisë së PS në një prononcim për gazetarët shprehu gatishmërinë të ulet në tryezë me opozitën. Ai deklaroi se PD e ka marrë vendimin vetë për t’u larguar nga Parlamenti dhe me këtë ka dëmtuar rëndë veten e saj, por qeveria është votuar për të qeverisur e jo për të pritur të zgjohen të tjerët nga gjumi. Sipas kryeministrit mirë do të ishte që PD të ishte në Parlament, por mungesa e saj tha ai nuk ka krijuar vakum për mosfunskionimin e tij.

“Unë mendoj që vendi s’ka vakum, s’ka se Kuvendi funksionon, procesi legjislativ ecën, ne reformat po i çojmë përpara me prioritete që kemi përcaktuar. Do ishte mirë që PD të ishte në Parlament, ka marrë vendimin e vet të iki, është një vendim që tregon se ka dëmtuar rëndë veten PD padyshim që s’e ka bërë më të mirë jetën politike të vendit por nuk është se e ka cënuar për mosfunksionim, mund të funksiononte më mirë, por gjithmonë, nuk ka diskutim që ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë, të diskutojme, të dëgjojmë, reflektojmë, kur ka ide pozitive, por ne jemi të votuar e dënuar të udhëheqim, s’jemi për të pritur që dikush të zgjohet nga gjumi apo të përfundojnë shtriqjen para se të vijnë në punë”, u shpreh Rama.

Sa i takon propozimit të opozitës për reformën zgjedhore Rama tha se të gjitha idetë janë legjitime, por ajo që është detyrim dhe që nuk është çështje dëshirash apo idesh është implementimi i rekomandimeve të OSBE ODIHR.

"Këtu ne nuk kemi çfarë të diskutojmë dhe çfarë gjejmë për tu ndarë, këtu thjesht duhet të bëjmë implementimin e rekomandimeve. Kemi qenë të hapur që të dëgjojmë versionet e çdo pale për mënyrën si e lexojnë, por pa diskutim që në zgjedhjet e ardhme do të kemi komisione zgjedhore të depolitizuar. Partitë nuk do e të kenë asgjë në dorë dhe pastaj të tjerat janë gjëra që kanë rëndësonë e tyre, por kjo është kryesore", deklaroi Rama./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd