Transmetuar më 24-12-2019, 09:31
Foto ilustruese

Transportonin mallra të prodhuara në mënyrë të kundërligjshme dhe i ofruan ryshfet punonjësve të policisë, me qëllim shmangien e kontrollit të automjetit, bien në pranga.

Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se me një mjet po transportoheshin mallra të prodhuara në mënyrë të paligjshme, efektivët e policisë Lezhë organizuan punën dhe në Fushë- Milot, Kurbin, kanë bërë ndalimin e mjetit tip ‘Opel’ me drejtues shtetasin B. A., 32 vjeç dhe pasagjer shtetasin B. S., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët i kanë ofruar 2 kartëmonedha të prerjes 1000 lekë të reja, me qëllim shmangien e kontrollit të mjetit.

Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe sekuestruan një sasi e konsiderueshme pijesh alkoolike të prodhuara në mënyrë të kundërligjshme.

Në vijim të veprimeve, policia ka bërë arrestimin e dy të dyshuarve.

Ndaj dy të dyshuarve, materialet iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale e ushqimorë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Manipulimi i tregut”. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd