
Kryedemokrati Lulzim Basha ka takuar sot banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në fshatin Hamallaj në Durrës. Ata i thanë se janë lënë në harresë dhe në qiell të hapur.
“Nuk ka ardhur askush të vlerësojë shtëpinë. Nuk ka ardhur askush të na sjellë një çadër. Dritën e lidhim vetë me shpenzimet tona, ujin vetë, rrugën e bëjmë vetë, çdo gjë vetëm me forcat tona. Ku është shteti për ne? Nuk ka shtet për ne? Vijnë vetëm kur na kërkojnë votat?”, u shpreh e revoltuar një kryfamiljare, raporton PD.
Para kësaj situate, Basha tha se po bëhet një muaj në këtë gjendje, të cilën e cilësoi kriminale.
“Kjo është kriminale. Tani nuk ka më asnjë justifikim. U bë një muaj kjo gjendje. Kanë 150 milion dollarë që i marrin 10 veta dhe kanë lënë dhjetra mijëra familje si ju. Nga mëngjesi deri në darkë vetëm propagandë. Propoganda as ju ngroh as ju ushqen, as ju shëron, as i çon fëmijët në shkollë”, tha Basha.
Ndërsa një kryefamiljar tha se Bashkia e Durrësit po bën ndarje politike duke përjashtuar ata që munguan në votimet e 30 qershorit.
“Na kanë thënë se nuk kemi votuar më 30 qershor dhe për ju ekziston lista e zezë, prandaj nuk kemi as ndihma, asgjë”, i tha ai kryedemokratit.
Për Bashën, kjo nuk ishte histori e re dhe për këtë arsye tha se duhet të jenë pas hekurave.
“E kam dëgjuar këtë histori, se ma kanë thënë disa persona. Kjo është për ndjekje penale. Se Zoti nuk i ndau njerëzit, kur ra tërmeti. Ky po i ndan, po i ndan sipas listës së 30 qershorit. Dhe këta që e bëjnë këtë punë, këta duhen kapur, u duhen vënë prangat në dorë, po të ketë prokurori”, tha kryedemokrati Lulzim Basha./noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





