Transmetuar më 23-12-2019, 13:13

Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se banorët ne Hamallaj, Manzë dhe Radë vazhdojnë të flenë jashtë, në çadra ose në makina.

Sipas tij, pavarësisht propagandës, shteti ështe inekzistent, ndërsa familjarëve tashmë u duhet të përballen edhe me përkeqësim të gjëndjes shëndetësore kryesisht të fëmijëve dhe të moshuarve për shkak të të ftohtit, shirave dhe mungesës së ngrohjes.

Basha thotë se 26 Nëntori nxorri në pah dështimin dhe paaftësinë e kësaj qeverie dhe sjelljen e pashpirt dhe kriminale ndaj pasojave të tërmetit të 21 shtatorit që solli humbje jetësh njerëzore.

“Banorët më thanë se për faturën e ujit e të dritave shfaqën që në orët e para të mengjesit punonjësit e shtetit, ndërsa në fatkeqësi ata janë të braktisur e të injoruar. Në prag të festave ata janë në mëshirë të fatit, propaganda tregon një realitet larg të vërtetës. E ndërsa ankthi, pasiguria e qytetarëve, mbyllja e bizneseve, shkurtimi i vendeve të punës vazhdon, qeveria po përgatit vjedhjen e rradhës mbi rrënojat e tërmetit. Kjo qeveri është gati të sakrifikojë qytetarët, fëmijë e të moshuar vetëm të mos prekë 150 milionë dollarët që marrin oligarkët”, shprehet Basha.

Ai shton se nëse ky Kryministër dhe qeveria e tij do të punonte me të njëjtin pasion dhe përkushtim për qytetarët, siç punon për oligarkët, nuk do të kishte qytetarë qe nuk e dinë fatin e banesave të tyre apo jetojnë nëpër çadra, të uritur, të shokuar, dhe në dëshpërim.

Basha thotë se tërmeti i 26 nëntorit i ka lënë vendin tërmetit të dështimit dhe shembjes së shtetit prej kartoni nga babëzia, korrupsioni dhe paaftësia. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd