Updated; 23-12-2019, 07:19

Banka e Shqipërisë për nevoja të plotësimit të vendeve vakante të punës, shpall për konkurrim një vend të lirë në pozicionin e punës “Specialist për sigurimin e brendshëm”, në Zyrën e Sigurimit të Brendshëm, Sektori i Sigurimit dhe Mbrojtjes Fizike pranë Departamentit të Sigurimit dhe Mbrojtjes (DSM). 

Detyrat sipas përshkrimit të punës së pozicionit të lartpërmendur, ndër të tjera, përfshijnë:

Zbatimin e proceseve të punës që lidhen me implementimin e masave të sigurisë dhe mbrojtjes fizike në objektet e Bankës së Shqipërisë, për realizimin me përgjegjësi të lartë të shërbimit të mbrojtjes dhe sigurisë së personelit, aseteve të Bankës, si dhe vlerave monetare. Organizimin dhe bashkërendimin e punës me qëllim parandalimin, bllokimin dhe minimizimin e riskut që mund të shkaktohen ndaj Bankës së Shqipërisë. Zbatimin e detyrave të ngarkuara sipas kuadrit rregullator dhe planeve të punës të miratuara nga Administratorët e institucionit dhe drejtuesit e njësisë, me qëllim garantimin e vazhdimësisë së punës në lidhje me proceset e sigurisë dhe mbrojtjes së institucionit.  Kryerjen në kohë dhe me cilësi të detyrave të ngarkuara, duke raportuar për shkeljet proceduriale dhe administrative gjatë kohës së punës. 

Ndër kriteret që duhet të plotësojë kandidati për pozicionin e lartpërmendur “Specialist i sigurimit të brendshëm”, janë si më poshtë vijon:

a) Edukimi, trajnimi dhe eksperiencat të kërkuara për kandidatët që aplikojnë për këtë pozicion:

Kandidatët që kërkojnë të aplikojnë për konkurrim preferohet të jenë diplomuar në universitete/fakultete ushtarake (Akademi Ushtarake e Forcave të Armatosura dhe Akademia e Lartë e Rendit, me sistem të plotë brenda ose jashtë vendit). Preferohet të kenë përvojë pune mbi 5 (pesë) vjet pa shkëputje, në institucionet e sigurisë (kryesisht në institucionet e Policisë së Shtetit,  Ministrisë së Mbrojtjes ose institucione të tjera të sigurisë në vend); Të ketë njohuri bazë të lëndëve të rrezikshme (eksplozivë, lëndë kimike, barute të ndryshëm etj.,) për zbulimin dhe parandalimin e riskut të tyre; Të jetë i aftë në zgjidhjen e problemeve të pa parashikuara që mund të krijohen ose lindin gjatë kryerjes së detyrës, kur cenohet siguria e objekteve, jetës së punonjësve të Bankës apo vlerave të saj. 

b) Aftësitë, cilësitë dhe eksperiencat e preferuara për kandidatët që aplikojnë për këtë pozicion:

Të ketë njohje e të paktën një gjuhe zyrtare të Bashkimit Evropian, preferohet gjuha angleze, mundësisht e dokumentuar; Të ketë kryer kurse profesionale në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes fizike (mundësisht të dokumentuara); Të ketë aftësi shumë të të mira komunikuese, rrjedhshmëri në të shprehur dhe formulimin e shkresave/informacioneve; Të ketë njohuri në programet kompjuterike (Microsoft Office, etj.) dhe ti përdorë ato.

Dokumentet e kërkuara:

Kandidatët që do të aplikojnë për konkurrim duhet të paraqesin dokumentet e mëposhtme;

Jetëshkrimi (Curriculum Vitae); Letër motivimi/interesi e cila përmban arsyet dhe pritjet e kandidatit i cili kërkon të punësohet pranë Bankës së Shqipërisë; Diplomë të shkollës së lartë; Dokumenti i/e diplomimit me gradë shkencore, (në qoftë se ka); Listë Notash; Dëshmi të ndryshme kualifikimi (në qoftë se ka); Deklaratë prezantuese/reference nga eprori i tij, punëdhënësi i fundit apo profesori i tij (në qoftë se ka); Dëshmi të gjuhëve të huaja (në qoftë se ka); Raporti i aftësisë në punë;  Vërtetim nga prokuroria, gjykata dhe dëshmi penaliteti, ku të vërtetohet që nuk jeni i dënuar ose në ndjekje penale; Certifikatë e gjendjes familjare; Të mos jetë i larguar nga puna për masa disiplinore në bazë të ligjit për nëpunësin e shërbimit civil në Republikën e Shqipërisë dhe Kodit të Punës; Fotografi 2 (dy) copë; Fotokopje e kartës së identitetit;

Kandidatët mund të paraqiten çdo ditë pranë Departamentit të Burimeve Njerëzore të Bankës së Shqipërisë në adresën Sheshi Skënderbej nr.1 Tiranë për të tërhequr formën e aplikimit, ose mund ta shkarkojnë atë në link-un e mëposhtëm në faqen zyrtare të institucionit në internet:

https://www.bankofalbania.org/Punoni_me_ne/Mundesi_punesimi/Vendim_nr_21_Per_miratimin_e_rregullores_Per_marredheniet_e_punes_te_personelit_te_Bankes_se_Shqiperise.html 

Konkurrimi në Bankën e Shqipërisë bëhet në bazë të proçedurave të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë me tre faza:

Në fazën e parë, bëhet përzgjedhja e kandidatëve që do t’i nënshtrohen testimit me shkrim dhe me gojë e cila konsiston në verifikimin nëse dokumentacioni i paraqitur nga çdo kandidat vërteton plotësimin e kërkesave të përgjithshme dhe të kërkesave specifike, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim. Vetëm kandidatët që plotësojnë këto kërkesa, i nënshtrohen fazave të mëtejshme të konkurrimit; Në fazën e dytë zhvillohet testimi me shkrim:

për zotërimin e gjuhës angleze;  për nivelin e njohurive profesionale. 

Në qoftë se rezultati i testimit me shkrim për zotërimin e gjuhës së huaj dhe nivelin e njohurive profesionale është nën nivelin minimal të përcaktuar, kandidati nuk kualifikohet për fazat e mëtejshme të konkurrimit; 

Në fazën e tretë zhvillohet intervistimi me gojë i kandidatëve, i cili synon të evidentojë formimin e përgjithshëm si dhe vizionin personal mbi statusin dhe veprimtarinë e Bankës.

Dokumentacioni të paraqitet brenda datës 7 janar 2020. Pas kësaj date nuk pranohet asnjë dokument.

Kandidati, i cili dëshiron të konkurrojë, mund të paraqitet çdo ditë pranë Bankës së Shqipërisë, për t’u njohur me kriteret e vendeve të punës të shpallur për konkurrim dhe për të plotësuar kërkesën përkatëse sipas formatit të miratuar nga Banka e Shqipërisë; Dokumentacioni i kërkuar të dorëzohet në Bankën e Shqipërisë, i mbyllur në zarf me adresën përkatëse dhe të jetë i plotësuar sipas kërkesave të mësipërme. 

(Kujdes: Dokumentacioni duhet të jetë origjinal ose fotokopje e noterizuar. Mosparaqitja e plotë e dokumentacionit sjell skualifikim të kandidatit).