
Kryeministri Edi Rama rrëfen momentin se si u ndje kur shkoi në Durrës menjëherë pas tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit.
“Së pari dua ta rrëfej këtu që kur kam shkuar në Durrës, atë natë se ishte akoma në të gdhirë dhe pastaj kam parë pas pak orës përmasat e shkatërrimit kam qenë i tmerruar nga ndjenja e vetmisë dhe nga përmasa dukshëm përtej asaj që i shihja si mundësi për ta përballuar.
E para ka qenë përballja me vetminë duke u dërguar mesazh miqve të mi, kryeministri i Italisë, i Francës, i Greqisë dhe më janë përgjigjur. Dhe e dyta jam ulur me ekipin se deri ku mund të shkojmë ne. Kemi arritur ta përballojmë hemorragjinë e madhe që shkaktoi tërmeti në aspektin psikologjik për shkak se mijëra njerëz humbën shtëpitë brenda pak çastesh”, u shpreh Rama në një interviastë për KlanKosova.
Më tej ai shtoi se, “Unë kuptova që kjo krizë ishte sa në kuptimin e strehimit dhe aq edhe një krizë e thellë shpirtërore. Patëm një tërmet psikologjik si shoqëri me vendimin e KE-së dhe ishte një tërmet fizik që ngjante si mallkim që ky vend nuk ka të ardhme dhe duhet të largohesh një orë e më parë. Mbi të gjitha, njerëzit kishin nevojë për komunikim se nuk janë vetëm sikurse unë kisha nevojë të mos ndihesha vetëm”.
Rama zbuloi se i ka dërguar një mesazh, jo publik, por në telefon kryetarit të PD-së, Lulzim Basha pas tërmetit tragjik. Kreu i qeverisë tha se Basha nuk iu përgjigj mesazhit dhe më pas i bëri edhe dy thirrje publike që të uleshin bashkë për të përballuar fatkeqësinë, por mori përgjigje negative, pasi lideri demokrat refuzoi.
"I kam shkruar një mesazh Lulzim Bashës, jo publike, por në telefonin e tij. I kam thënë mendoj që bashkë të shkojmë aty ku është dhimbja, se në fund të fundit çfarë rëndësie kanë të gjitha të tjerat, kanë nevojë për ngushëllim dhe nga kush e presin? Nga ne. Kanë humbur shtëpitë, por nuk duhet të humbin sesin e përkatësisë në një vend ku nuk janë vetëm. Nuk kam marrë përgjigje. I kam bërë edhe dy thirrje publike. Është e vërtetë, Lulzim Basha është përpjekur për të mos dalë i tepërt, por vetëm kaq. Mund të vinte jo për të bërë marrëveshje, por për të qenë përtej politikës. Por janë të tjerët që përpiqen të gjuajnë nga të katërta anët" tha Rama./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





