Transmetuar më 19-12-2019, 10:21

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pushuar çështjen për katër të akuzuarit e arrestuar në vitin 2016, si të dyshuar se do të kryenin sulm terrorist në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael.

Të arrestuarit Ergys Faslija, Bekim Protopapa, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani, akuzoheshin për veprat penale “Vepra me qëllime terroriste”, “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Organizata terroriste”.

Mirëpo prokurori Përparim Kulluri i ka dërguar kërkesën për pushimin e çështjes Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda e cila në 26 dhjetor pritet të marrë vendimin për pushimin e çështjes.

Katër shqiptarët, akuzohen se në bashkëpunim me disa persona nga Kosova, kishin kontakte me terroristë të ISIS në vitin 2015 si Lavdrim Muhaxheri apo edhe të tjerë xhihadistë dhe radikal nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, mirëpo mungesa e provave bëri që të kërkohet pushimi i çështjes.

Prokuroria thotë se nuk u arrit të provohej akti terrorist dhe nuk është arritur të gjenden as mjetet përkatëse që organi i akuzës kishte dyshime siç janë armët, banesat apo edhe mjete të tjera logjistike. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd