




Në përfundim të votimit nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të projektligjeve “anti-shpifje”, rrjeti i organizatave shqiptare përfaqësuese të gazetarëve dhe të të drejtave të njeriut dalin me deklaratë.
Janë 15 organizata të cilat dënojnë vendimin e së mërkurës të Kuvendit të Shqipërisë për të miratuar projektligjet në kundërshtim të hapur me Komisionin Europian dhe Zyrën e Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës.
“Ne i bëjmë thirrje Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta të mos e dekretojë këtë projektligj. Ne bëjmë të ditur se do të nisim një fushatë të gjerë informimi dhe ndërgjegjësimi të publikut mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, pjesë e së cilës do të jetë angazhimi afatgjatë për të rrëzuar këto projektligje apo për t’i bërë ato të pavlefshme përmes betejave ligjore dhe qytetare në mbrojtje të lirisë së shprehjes, në gjykatat shqiptare apo në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut”, thuhet në qëndrim.
Më tej iu bëhet thirrje gazetarëve të vijojnë punën për të raportuar drejtë dhe saktë dhe të mos frikësohen nga ekzistenca e këtyre ligjeve regresive.
“Ne angazhohemi të mbështesim çdo gazetar që mund të përballet me padrejtësitë që mund të prodhojë një ligj i tillë”, thuhet në mbyllje.
Lista e organizatave firmëtare: Këshilli Shqiptar i Medias; Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë; Qendra Shqiptare MediaLook; Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore; Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë; Unioni i Gazetarëve Shqiptarë; BIRN Albania; Citizens Channel; Faktoje; Instituti Shqiptar i Medias; Civil Rights Defenders; Instituti Shqiptar i Shkencave; Komiteti shqiptar i Helsinkit; Qendra Res Publica dhe Grupi shqiptar në mbrojtje të të drejtave të njeriut. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





