
Paketa "anti-shpifje" e cila është hartuar me synimin për të rregulluar funksionin e mediave, teksa kaloi sot në Kuvend me votat e maxhorancës, ashtu siç pritej ka nxitur debate dhe diskutime të shumta.
Qeveria prej një viti e kishte paralajmëruar një nismë të tillë dhe u shpreh e vendosur për ta votuar atë si domosdoshmëri, me qëllim për të mbrojtur të vërtetën dhe reputacionin e njerëzve që janë cënuar deri tani padrejtësisht.
Megjithatë, ajo hasi menjëherë kundërshtime nga partnerët ndërkombëtarë, edhe pse kryeministri u përpoq të bindte opinionin publik, se një praktikë të ngjashme kanë edhe vendet e BE-së, si Gjermania, Anglia, Italia etj.
Por megjithatë, media si pushtet i katërt kudo në botë, në vendet e zhvilluara, ka qenë pushteti i fundit që është rregulluar edhe nga forma ligjore, ndërsa konfliktet mes saj me palë të treta, dihet nga të gjithë që zgjidhen vetëm në gjykatë.
Në Gjermani, pushteti ekzekutiv nuk ka problemet që hasen në Shqipëri. Atje nuk ka ministra dhe deputetë që akuzohen për korrupsion dhe plagjiaturë, nuk ka as kryebashkiakë që fshehin të kaluarën e tyre në burg, dhe sigurisht as drejtorë apo zyrtarë të lartë të përfshirë në afera kurruptive.
Për BE-në dhe SHBA-të, fakt është se pushteti gjyqësor në Shqipëri nuk i ka ndëshkuar në 20 vite shkelësit e ligjit, brenda tre pushteteve të para.
Nëse do t’i kishte këto probleme Gjermania, nuk do të kishte kohë të merrej fare me mediat.
Në vendin tonë, mediat nuk kanë penguar asnjë qeveri dhe as gjykatat që t’i dënojë dhe t’i parandalojë këto fenomene.
Buntestagu dhe parlamentet e vendeve të BE-së nuk krahasohet me Kuvendin e Shqipërisë, sa i përket mënyrës sesi funksionon pushteti legjislativ.
Sot Shqipëria ka një Kuvend, që nuk i ka plotësuar 140 deputetë dhe për Presidentin e Republikës është iligjitim. Vendi unë nuk e ka zgjidhur ende këtë ngërç, prandaj nuk ka as luksin të merret me rregullimet dhe arnimet e mediave.
Pushteti gjyqësor në Gjermani, do të ishte fyese nëse do të krahasohej sadopak me atë në Shqipëri. Është Gjermania ajo që po financon dhe po kërkon reformimin e gjyqësorit në vendin tonë, si kusht për pranimin e Shqipërisë në BE.
Mbi kushtet që i vendosi Gjermania vendit tonë për çeljen e negociatave, nuk kishte asnjë ankesë për median, edhe pse të gjithë e dinë që ajo ka probleme, sikurse është e qartë se ato janë të lidhura ngushtë me problemet që hasin tre pushtetet e tjera.
Kur vendit tonë i mbetet detyrë të plotësojë kushtet e kërkuara dhe të bindë vendet skeptike, për çeljen e negociatave, atëherë përse duhej ky nxitim dhe çfarë pritet të zgjidhë?
Reforma në Drejtësi, kuptohet që është nismë e ndërkombëtarëve dhe publiku ka pritshmëri të larta prej saj, çka do të thotë se energjitë duhet të fokusohen në mbarëvajtjen e kësaj reforme.
Qeveria nga ana e saj disa vite më parë ndërmori Reformën në Arsim. Sot, gjashtë vite pas ardhjes në pushtet nga e majta, a është rregulluar sistemi arsimor në Shqipëri? A blihen dhe a shiten notat, diplomat dhe doktoraturat. Apo qoftë edhe dija, në perceptimin e publikut? A ka vendi ynë më në fund specialistë dhe kuadrot e duhur, me të cilët mund të bëjë ndryshimin në Administratën Publike?
Mos ndoshta edhe në përpjekjet e fundit për të rregulluar tregun mediatik, kemi të bëjmë me shprehjen: shumë zhurmë për asgjë. /NOA.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





