
Parlamenti ka miratuar me shumicë votash paketën aq shumë të kundërshtuar “Anti-shpifje”. 82 deputetë kanë dhënë votën pro këtij ligji dhe vetëm 13 kanë votuar kundër, ndërsa 8 kanë abstenuar.
Deputetët kanë votuar edhe një propozim të kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, sipas të cilit vendimet e Bordit të AMA-s, ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.
“Vendimet e bordit të AMA-s animohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë”, propozoi Balla.
Kryeministri Rama në fjalën e tij sot nga foltorja e Kuvendit mbrojti paketën anti-shpifje teksa jashtë parlamentit gazetarët protestuan kundër cënimit që i bëhet fjalës së lirë dhe pushtetit gjyqësor që i kalon në dorë AMA-s, që për herë të parë me rregullimin me ligj do të ketë në dorë edhe portalet.
Kreu i qeverisë tha se paketa e hartuar 100% sipas rekomandimeve të OSBE (sipas tij) ka synim të mbrojë qytetarin nga shpifja, ndërkohë që është zgjedhur modeli më i butë në Evropë, krahasuar me vende të tjera ku gjobat janë të majme.
Me dhjetëra gazetarë këtë të mërkurë u ngritën në protestë para Kuvendit për të kërkuar tërheqjen e qeverisë nga paketa anti-shpifje që më shumë sesa rregullim për herë të parë me ligj të portaleve, cënon lirinë e shprehjes. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





