


Mbahen ditën e sotme në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, seancat dëgjimore me tre kandidatët për postin e drejtuesit të prokurorisë speciale, SPAK.
Në garë për këtë post, janë Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili. Duke prezantuar platformën e tij, Altin Dumani tha se në prokurorinë e posaçme duhet që prokurorët të ndahen sipas specializimeve që ata kanë.
Sipas tij, duhet të fillohet me dy seksione, seksioni për hetimin e krimit të organizuar dhe hetimin e zyrtarëve të shtetit.
“Hapi i parë, brenda javës së dytë të punës është fillimi i procedurës së përzgjedhjes së drejtuesit të Kombëtare të Hetimit. Ky institucion, SPAK, është si një mushkëri që furnizon me ajër. Pa këtë puna jonë do të vështirësohet. Javën e dytë të punës do të bëj njoftimin, ftesën për aplikim për drejtor të BKH”, u shpreh Dumani.
Ai tha gjithashtu se kjo prokurori do të godasë krimin dhe korrupsionin dhe se SPAK do të bëjë të mundur një Shqipëri se cilido që do të kryejë një krim do të ndëshkohet pavarësisht pozitës dhe se dështimi i SPAK nuk do të jetë një opsion.
Sipas tij, SPAK do të bëjë të mundur që çdokush që ka shkelur ligjin, kushdo qoftë ai do të ndëshkohet.
Dumani shtoi se pas zgjedhjes së kreut të BKH do të zgjidhen hetuesit dhe se SPAK duhet të synojë thithjen e nëpunësve të kualifikuar me integritet të lartë, por duhet një joshje dhe kjo është paga.
“Edhe nga DAP-i është rënë dakord që duhet një mekanizëm financiar për të thithur ekspertët më të mirë të mundshëm. Nga biseda që kemi pasur na është premtuar se paga e tyre do të jetë e kënaqshme për kushtet e shtetit shqiptar. Por unë nuk e lidh shumë vetëm me të qenit profesionit, por edhe të motivuar, edhe duke sakrifikuar. Duhet të gjejmë këtë kategori ekspertësh, të cilët nuk kanë parësore financat”, deklaroi Dumani.
Në vijim shtoi se ka qenë 9 vite i mbrojtur nga policia, por nuk është tërhequr. "U kam shkuar gjërave në fund. Një autor vepre penale më ka kanosur dhe është dënuar në të treja shkallët. E kam edhe unë një pikë të dobët, shpesh u kërkoj falej edhe kolegëve, menaxhimi i kohës, se kur më kap grinda për të punuar, harroj elementin kohë. Mirë familja ime, fëmijët, por kam kolegë dhe skuadër dhe ata për hirin tim privohen nga koha që duhet ti kushtojnë familjes”, tha ai. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





