
Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović i kërkon kuvendit të Shqipërisë të rishikojë draftet e paketës anti-shpifje që për herë të parë përfshin median online, me argumentin se duhen përshtatur sipas standardeve të vendosura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Këshilli i Europës. Mijatoviç thekson gjobat e majme që parashikohen në këto drafte dhe bllokimin e mediave online pa pasur më parë një vendim gjykate.
"Mësova me shqetësim se këtë javë, Parlamenti shqiptar synon të miratojë dy projektligje, të njohura si “paketa antishpifje”. Këto pr.ligje kanë nevojë urgjente për përmirësime. Disa parashikime nuk janë në përputhje me standardet europiane të të drejtave të njeriut, që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit.
Jam veçanërisht e shqetësuar me fuqitë vendimmarrëse që u jepen organeve rregullatore, me mundësinë që të vendosin gjoba të majme dhe të bllokojnë media online pa patur më parë një vendim gjykate", shprehet ajo.
Më tej Mijatovic thekson se edhe ndërhyrja e shtetit në rregullimin e medias online mund të minojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në vend. "Është me rëndësi që të sigurohemi që interneti të mbetet një forum i hapur, publik ku të mbizotërojë parimi i vetërregullimit, përfshirë këtu edhe për median online.
Për këto arsye, kërkoj prej deputetëve të Parlamentit shqiptar që të rishikojnë draftet në fjalë dhe t’i sjellin në linjën e standardet e vendosura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Këshilli i Europës",përfundon reagimin Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





