Transmetuar më 15-12-2019, 20:34

Festivali i RTSH-së po afron, ndërkohë debatet sa vijnë dhe shtohen.

Është thënë se ky festival, që i është besuar Vera Grabockës dhe Alketa Vejsiut edhe pse pritet të sjellë risi, i ka përcaktuar fituesit ende pa nisur gara.

Këngëtarja e njohur Elvana Gjata, pjesëmarrëse në këtë festival, sipas një denoncimi të Diana Ziut, është shpallur fituese me kohë, ndërsa ajo ka sulmuar hapur regjisoren Vera Grabocka.

Këngëtarja e njohur ka zbuluar edhe këngën me të cilin do të performojë në festival, ndërsa fituesi ose fituesja do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision.

Diana Ziu ka hedhur vazhdimisht akuza në drejtim të Vera Grabockës dhe Zhani Cikos, për mënyrën e përzgjedhjes së këngëve, apo edhe për fituesen e festivalit, që ajo beson se është vendosur prej kohësh.

Ajo i ka akuzuar dy personazhet që morën përsipër drejtimin e festivalit  se kanë qenë të besuarit e partisë, pa asnjë meritë në kohën e diktaturës dhe vazhdojnë të jenë të besuarit e partisë, pavarësisht se kanë ndryshuar qeveritë.

Por Zhani Ciko, i cili është pjesë e jurisë u është përgjigjur publikisht këtyre polemikave.

“Vendimet e jurisë janë të pakontestueshme, ky është pakti numër një. Ti shkon paraqet krijimin tënd te një juri që e ka përcaktuar dikush tjetër. Kjo juri do japë vendimin e saj, siç e gjykon ajo. Unë sa kam ardhur në festivalin e parë në vitet ’90, kam iniciuar post-festivalin. Ajo ishte demokraci, që njerëzit të thonin mendimet e tyre për këngët”.

I ftuar në emisionin “Java” në Radio Televizionin Shqiptar, Maestro Ciko nuk foli me emra, por tha se akuzat nuk kanë asnjë bazë.

“Ky festival ka nisur jo me post-festival, por me anti-festival. Të thuash që duhet të anulohet festivali, se s’ka fituar një këngë [apo një tjetër], është absuriditet. Çfarë interesi kisha unë që të mos fus këngën e një kolegeje? Ka pasur dhe shumë kolegë të tjerë të mitë, për të cilët ngela shumë keq, por nuk u futën”, – ka sqaruar Zhani Ciko.

Elvana Gjata mund të shpallet fituese, dhe nuk mund të paragjykohet si e tillë, por a do të përputhen vlerat e këtij festivali me shijet e publikut?!

Kjo mbetet për t’u parë, pasi buxheti i këtij viti është rritur ndjeshëm, me qëllim për të rritur cilësinë e Festivalit të RTSH, dhe kjo duket se do të jetë sfida kryesore e organizatorëve.

Pra, nëse festivali do të justifikojë paratë publike që janë shpenzuar për t’i rikthyer publikut një nga pasuritë kombëtare, që çuditërisht e humbi shkëlqimin prej antivlerave që kanë mbërthyer artin dhe veçanërisht muzikën gjatë dy dekadave të fundit./NOA.al