Transmetuar më 14-12-2019, 13:39

Të gjithë e mbajmë mend këngën hit të para një dekade “Gjithmonë” dhe zërin e ëmbël e të veçantë që shoqëronte Flor Mumajesin. Por sot, pas kaq shumë vitesh, ajo nuk lë pas dashurinë për këngën, por i rikthehet fuqishëm me bashkëpunime të reja.

Kënga “Thug Life”, në bashkëpunim me Mc Kresha dhe Blleki pati një reagim shumë të mirë nga audienca duke e kthyer në një nga këngët më të parapëlqyera të momentit. Në një intervistë për “Bluetooth” të “GSh”, Luar Arani na rrëfen për herë të parë eksperiencat e saj në jetesën 10-vjeçare në Gjermani dhe marrëdhëniet e saj me vendlindjen:

“Jetoj prej 10 vjetësh midis Gjermanisë dhe Shqipërisë dhe disa vite i kam kaluar në Austri. Është ndryshe në disa aspekte si për shembull përpikmëria nëpër takime ose që të duhet 1 orë kohë për të vajtur nga pika a në pikën b megjithëse je në të njëjtin qytet por ka dhe bukurinë e saj pasi çdo ditë mund të zbuloj një vend të ri”.

Gjithashtu, ajo rrëfen mundësinë e bashkëpunimeve të reja në muzikë me emra të njohur si dhe nuk përjashton mundësinë e rikthimit në duet me Flor Mumajesin.

“Jam duke u marrë me disa projekte. Disa prej tyre kanë përfunduar dhe po pritet momenti i duhur për të dalë në treg. Nuk i dihet kurrë për një bashkëpunim me Florin”

Së fundmi lidhur me kohën e vështirë që Shqipëria kaloi për shkak të fatkeqësisë natyrore, këngëtarja shpreh krenarinë e bashkëpunimit dhe bashkimit të menjëhershëm në një periudhë kaq të vështirë të Kosovës me Shqipërinë.

“Më ngroh zemrën të shikoj se si ende vazhdojmë ndihmojnë njëri-tjetrin dhe se fjalia “jemi një“ ka më shumë kuptim se kurrë. Dashuria dhe humanimzi thyen çdo kufi e barrierë”,- thotë Luar në përfundim.

A keni menduar të jeni pjesë e ndonjë kompeticioni si Kënga Magjike apo Festivali i RTSh për t’ju rikthyer skenës?

Si Kënga Magjike dhe festivali i RTSH janë dy kompeticione prestigjioze dhe të dashura për publikun. Në një të ardhme mbase mund të ndodhë por për këtë vit nuk do jem pjesëmarrëse.

Përveçse pasionit për këngën, cili është një pasion tjetër i juaji të cilin kujdeseni të mos e lini pas dore?

Piano. Nëse nuk gjej kohën të ushtrohem çdo ditë, gjithmonë mundohem të ushtrohem në fundjavë dhe të kompozoj diçka në rast se jam e frymëzuar.

A jeni duke u marrë me ndonjë projekt të ri muzikor për momentin?

Po, jam duke u marrë me disa projekte. Disa prej tyre kanë përfunduar dhe po pritet momenti i duhur për të dalë në treg.

Si e përjetuat periudhën e shkëputjes nga vendlindja? A ktheheni shpesh apo ta mendoni rikthimin?

Duke qenë se fillimisht u shkëputa për të mësuar gjermanisht në Berlin, në kursin e gjuhës kisha dhe shumë miq shqiptar me të cilët flisja dhe shqip. Si atëherë dhe tani, unë mundohem gjithmonë të jem çdo muaj ose çdo dy muaj në Shqipëri ose Kosovë. Për këtë arsye nuk ndihem e shkëputur nga vendlindja duke qenë se jam shumë shpesh aty.

Jetoni në Gjermani tashmë prej një periudhe të gjatë kohore. Si është jeta e re e Luar jashtë vendlindjes?

Po është e vërtetë, jetoj prej 10 vjetësh midis Gjermanisë dhe Shqipërisë dhe disa vite i kam kaluar në Austri. Është ndryshe në disa aspekte si për shembull përpikmëria nëpër takime ose që të duhet 1 orë kohë për të vajtur nga pika a në pikën b megjithëse je në të njëjtin qytet por ka dhe bukurinë e saj pasi çdo ditë mund të zbuloj një vend të ri.

Kënga që u bë hit e shumë viteve më parë “Gjithmonë” ishte një sukses i vërtetë në bashkëpunim me Florin. A keni menduar të bëni një bashkëpunim të dytë?

Nuk i dihet kurrë.

Kënga e fundit e juaja ka dalë para disa javësh në bashkëpunim me Blleki dhe Mc Kresha “Thug Life” dhe pati një pëlqim të gjerë nga publiku. Si erdhi ideja e bashkëpunimit me ta? Keni menduar për ndonjë të dytë?

Kreshën në radhë të parë e kam mik, dhe në muzikë si dihet kurrë sa bashkëpunime të të njëjtit lloj do të bëhen. Studioja e pintave është një nga më të bukurat dhe gjithmonë jam ndjerë si mes familjes. Pasi dëgjova në studio këngën rashë menjëherë në dashuri me të e kështu u bëra pjesë e saj. MC Kresha është një nga njerëzit më të talentuar dhe të veçantë që kam takuar deri më sot dhe Blleki është një artist i veçantë. Jam e lumtur që nxorëm këtë produkt së bashku të cilin e kam shumë për zemër.

A është dikush në jetën e Luar që ju jep shtysë e ju mbështet në çdo projekt tuajin?

Fatmirësisht kam fat në jetë që jam e rrethuar me një familje, e cila më ka mbështetur në rrugën e muzikës që në shenjat e para që unë tregova që kisha vesh për muzikë. Ata vazhdojnë ende të më mbështesin në uljet e ngritjet që bota e muzikës ka. Gjithashtu dhe miqtë e mi në rrethin tim të ngushtë, të cilët janë të parët që dëgjojnë demot dhe më japin mendimet e tyre, nuk lodhen kurrë së i dëgjuari.

Cila është këshilla që Luar do të donte t’i jepte vetes dhe gjithkujt që has vështirësitë në periudha të caktuara të jetës?

Këto ditë ka qenë më se e vështirë të shikoje të gjithë situatën që po ndodh, të zgjohesh çdo mëngjes me frikën e një lajmi të keq ose as të mos flesh dot me frikën se kur të zgjohesh, ata që do nuk do jenë më aty. Shtrëngoni fort familjen dhe miqtë tuaj për sa gjatë e keni mundësinë. Së bashku vështirësitë e jetës do t’i kalojmë, me dhimbje e lot, por do t’i kalojmë. Jam shumë krenare për të gjithë lëvizjen e shpejt dhe solidaritetin e treguar të shqiptarëve dhe kosovarëve për kombin tonë. Më ngroh zemrën të shikoj se si ende vazhdojmë ndihmojnë njëri-tjetrin dhe se fjalia “jemi një“ ka më shumë kuptim se kurrë. Dashuria dhe humanimzi thyen çdo kufi e barrierë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd