Transmetuar më 14-12-2019, 10:11

Një valë arrestimesh është kryer nga policia pas tërmetit 6.4 ballë që goditi vendin më 26 nëntor, dhe me epiqendër në Durrës.

Mësohet se arrestimet dhe shoqërimet kanë të bëjnë me dëmet e shkaktuara nga tërmeti dhe personat që mund të kenë përgjegjësi, lidhur me shembjen e godinave.

Bëhet me dije se janë lëshuar 18 urdhra arresti, ku gjatë mbrëmjes së të premtes dhe gjatë orëve të para të së shtunës, janë bërë edhe shoqërimet e para, mes tyre ndërtues, inxhinierë dhe zyrtarë.

Të dyshuarit në listën e urdhër arresteve, janë persona të cilësuar përgjegjës për shembjen e pallatit gjashtë katësh te stadiumi, pallatit tjetër të ish-Tropikali, ndërtesa katër katëshe në zonën e ish-Kënetës dhe “vila Palma”, hotel “Mira Mare”, etj.

Më konkretisht mësohet se janë shoqëruar në polici drejtori i Kavalishensës Ahmet Doda dhe nëndrejtori Kujtim Hasa.

Shkak për ndalimin e drejtuesve të Kavalishencës është bërë fakti se nga shembja e godinës prej tërmetit, gjeti vdekjen kryekomisari Bajram Hajdarmetaj.

Po ashtu është arrestuar edhe ish-drejtori ALUIZNI aktualisht nëndrejtori i Kadastrës Durrës, Aldo Dakovelli shef sektori në Kadastrën e Durrësit dhe Artemis Malko punonjës terreni.

Zyrtarët e arrestuar, akuzohen për legalizim në kundërshtim me ligjin të objekteve të dëmtuara nga tërmeti. /a.y/noa.al