Transmetuar më 13-12-2019, 15:55

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka reaguar për vizitën e kryeministrit në Thumanë duke e cilësuar "spektakël të shëmtuar".

"Spektakli i shëmtuar i Edi Ramës në Thumanë me shtëpitë që i ka detyrim ligjor për t’i ndërtuar është i papranueshëm dhe nuk e shpëton dot atë dhe bashkëpunëtorët e tij nga përgjegjësia morale, politike dhe penale.

Ai është kthyer në vendin e krimit shtetëror pa dhënë llogari për humbjen e jetëve të 24 njerëzve të pafajshëm. Në javën e tretë pas tërmetit, Edi Rama hesht për përgjegjësitë direkte të Komitetit të Emergjencave, të drejtuar prej tij dhe të Bashkisë së Krujës, përse banorët e pallateve të shembura në Thumanë u lejuan të jetojnë aty pas tërmetit të 21 Shtatorit", shkruajti Gazment Bardhi në Facebook.

Bardhi shtoi se kryeministri duhet të thojë se cilat ishin masat që u morën në tërmetin e 21 shtatorit dhe personat përgjegjës që i lejuan të futeshin në pallate të pasigurta.

"Edi Rama është i detyruar t’u thotë shqiptarëve çfarë permbanin aktet e konstatimit për dy pallatet e shembura me 26 Nëntor, çfarë masash u morën dhe kush i lejoi banorët të futeshin në pallate të pasigurta pas 21 Shtatorit.

Prokuroria duhet të veprojë menjëherë! #DREJTËSI për viktimat e 26 Nëntorit!", përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i PD./noa.al/