Transmetuar më 13-12-2019, 13:10

Situata e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit e ka detyruar kryeministrin Edi Rama që ta shtojë kabinetin e tij me një ministri të re.

Kreu i qeverisë ka propozuar Arben Ahmetajn si ministër Shteti për Rindërtim. Propozimin ia ka dërguar për emërim, kreut të shtetit Ilir Meta, i cili ka konfirmuar dekretin menjëherë.

Ka qenë zëdhënësi i tij Tedi Blushi që konfirmon përgjigjen pozitive ndaj propozimit, pra dekretimin e Ahmetajt, si ministër shteti për Rindërtimin pas tërmetit.

“Asnjë sekondë vonesë për dekretimin e ministrit të ri të Shtetit për Rindërtimin”, shkruan zëdhënësi i Presidentit të Republikës Tedi Blushi.

Më herët kryeminiastri Rama përmes një postimi në Facebook bëri me dije se: "Programi i Rindërtimit dikton hapjen e një vendi të posaçëm edhe në tryezën e Këshillit të Ministrave,ku një ministër i ngarkuar ekskluzivisht me koordinimin e të gjitha institucioneve vendase e ndërkombëtare që lidhen me këtë program,të ndjekë orë e minutë zbatimin e Programit"/b.l/noa.al/