Transmetuar më 13-12-2019, 08:30
Armet dhe lenda narkotike e sekuestruar

Një operacion i policisë së Përmetit i koduar “Osumi”, ka zbuluar armë dhe drogë, duke vënë në pranga një person.

Pasditen e djeshme, e enjte, në vijim të kontrollit të territorit dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, u bë kurorëzimi i operacionit.

Si rezultat i tij u arrestua në flagrancë 35-vjeçari A. M., banues në fshatin Nikollarë, Skrapar.

Prangosja e tij u bë pasi në kufi me Skraparin, efektivët e policisë Përmet gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij gjetën një armë zjarri tip pushkë 20, një armë gjahu pa leje, fishekë dhe një sasi lënde narkotike kanabis sativa rreth 2 kilogramë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Ndaj 35-vjeçarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Përmetit, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. /a.y/noa.al