A mund të ketë biskota që i shkojnë festës së fundvitit e dimrit më shumë se topat e borës me bajame? Përgatiten fare thjesht dhe shkriiiiiiijnë në gojë…
Koha e përgatitjes: 35 minuta, 1 orë në frigorifer
Koha e pjekjes – 15 minuta
Përbërësit për afërsishte 40 biskota: 300 g miell, 1 majë thike kripë, 225 g gjalpë i butë si krem, 70 g sheqer pluhur, 4 lugë qumësht, 100 g çokollatë e zezë, e grirë në thërrime 60 g bajame të pjekura, të grira imët ose lajthi të pjekura, sheqer pluhur për t’i lyer sipër.
Përgatitja:
1.Me rrahësen elektrike rrahim gjalpin me kripën dhe sheqerin derisa të bëhen si masë kremoze. Shtojmë pjesë-pjesë miellin, bajamet dhe çokollatën dhe së fundi qumështin. I përziejmë me dorë derisa të përftojmë një brumë homogjen.
2.I japim formën e një sallami, e mbulojmë me plastmasë kuzhine dhe e lëmë të pushojë në frigorifer për 1 orë.
3.Ndezim furrën në temperaturën 180° C.
4.Kur furra të ketë arritur temperaturën e duhur, e presim brumin me thikë në feta 1 cm të trasha, i japim formë të rrumbullakët si një kokërr arre, i vendosim në tavën ku kemi shtruar letër furre dhe i pjekim për 15 minuta.
Në momentin që marrin shumë pak ngjyrë në sipërfaqe, janë gati. Sapo i nxjerrim nga furra, i lyejmë me sheqer pluhur, i lëmë të ftohen plotësisht mbi një grilë dhe i lyejmë përsëri me sheqer pluhur. I ruajmë 2-3 ditë në një kuti me kapak./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd