Transmetuar më 12-12-2019, 11:29

Sot, kryeministri Rama shkoi të ngushëllonte Ajet Meçjan në Durrës për tragjedinë e rëndë që i ndodhi pas tërmetit të 26 nëntorit. Nga lëkundjet e fuqishme, ai humbi mbesën, vajzën dhe bashkëshorten.

Në takimin me kryeministrin, Ajeti rrëfeu se si femrat më të dashura të jetës u gjetën në gërmadhat e godinës gjashtë katëshe në Durrës. Ajet Meçja doli nga rrënojat me plagë të lehta rreth 10 minuta pas rënies së tërmetit, por vajza dhe mbesa e tij mbetën të bllokuara nga rënia e një dere të blinduar.

"Pas tërmetit të parë, vajza tha, babi të vij të fle tek shtëpia jote. Unë me idenë që tërmeti i parë është më i forti, i thashë të vinin. Unë fjeta në një dhomë të vogël në ballkon, dy vajzat te dhoma jonë, ndërsa gruaja në dhomën tjetër.

Në orën 4 të mëngjesit ra tërmeti i fortë. Te tërmeti i madh i dëgjova që ulërinin shumë, sidomos mbesa, por unë nuk pata mundësi të dilja se m’u bllokua dera. Edhe mbi mua ranë inerte boll, dola zvarrë dhe pashë vetëm komshinjtë jashtë, pallati ishte bërë grumbull. Pastaj mblodha mendjen, ku janë fëmijët. U futa dhe dëgjoja mbesën, që thërriste “gjyshi” dhe Djenën që thoshte “më shpëtoni, ku është mami”, por gruan e kishte goditur të parën. Roza nuk dëgjohej fare…", u shpreh Ajeti.

Kërkesa e vetme që kishte për kryeministrin ishte që ti siguronte një pension, për të cilin Rama i tha se do i realizonte gjithçka dëshironte./a.m/noa.al/