Transmetuar më 12-12-2019, 08:49
Anton Martini

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur që të shtyjë dhënien e vendimit i cili ishte parashikuar për ditën e sotme, për prokurorin e Krimeve të Rënda, Anton Martini.

Teksa vendimi pritej në orën 10.00 të kësaj të enjteje, KPK njofton se shtyrja është bërë për shkaqe të arsyeshme.

Ditën e martë prokurori doli para KPK, në kuadër të procesit të vetingut, ndërkohë që gjatë seancës dëgjimore Martini tha se nuk ka bërë asnjë shkelje.

Kujtojmë se Anton Martini, është kandidat për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, dhe nëse konfirmohet në detyrë ai do të jetë prokuror i SPAK.

Në argumentet e tij, prokurori i dosjeve të bujshme, mes tyre ajo ‘339’, Aldo Bares dhe Met Kanani, Arben Frroku etj., ka bërë me dije se i kanë kërcënuar edhe familjen për shkak të detyrës, por pavarësisht kësaj nuk është tërhequr. /a.y/noa.al