Transmetuar më 11-12-2019, 16:06

“Shteti shqiptar është i papërgatitur në rast se një tërmet i dytë përsëritet”. Kështu tha kryedemokrati Lulzim Basha, pas takimit që pati pasditen e sotme me ministrin e Jashtëm italian Luigi Di Maio, teksa shprehu mirënjohje për ndihmën e dhënë nga Italia.

“Diskutuam për krizën politike dhe zgjidhjen e kësaj krize përmes udhërrëfyesit të Bundestagut gjerman, reformën zgjedhore dhe legjitimitetit që ka lënë pasoja të mëdha për të mirëqeversur apo për t’iu përgjigjur fatkeqesive natyrore. 26 nëntori tregoi se sa i papërgatitur është shteti shqiptar për t’iu përgjigjur një situate të tillë, qoftë në momentin e emergjenës qoftë në dy javët në vijim, larg qoftë të përsëritet një situatë e tillë, ky është një risk i madh”, u shpreh Basha.

Ai tha se sjelljet e papranueshme dhe intimiduese ndaj medias, janë produkt me tepricë dhe i panevojshëm në kohë krize, ndaj kërkoi që të kalohet në vepra që janë detyrë e qeverisë.

Basha shtoi se qeveria e ka për detyrë të ndihmojë njerëzit në nevojë, të përfundojë një orë e më parë vlerësimin e banesave dhe të shtojë inxhinierët dhe grupet e punës të terren.

Ai deklaroi se ekonomia jonë ishte goditur nga një tërmet ekonomik edhe para tërmetit dhe se fokusi i opozitës është që të jetë sa më pranë njerëzve.

Kryedemokrati refuzoi tryezën me Kryeministrin Edi Rama dhe shtoi se dialogu politik për reformën zgjedhore, reforma zgjedhore dhe vullneti i qytetarëve forcojnë demokracinë dhe jo fotografitë mes kreut të qeverisë dhe kreut të opozitës. /a.y/noa.al