Transmetuar më 11-12-2019, 15:05

Kryeministri Edi Rama në konferencën për mediat me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio, e falenderoi për solidaritetin e Italisë me shqiptarët në këto momente të vështira pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ai shprehu mirënjohje të thellë ndaj Italisë dhe ndaj trupave të kërkim shpëtimit dhe të emergjenave civile italiane për të cilat tha se ishin ndër të parat që zbarkuan dhe vunë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetë njerëzish.

“Marrëdhënia jonë me Italinë është e shkëlqyer dhe më vjen shumë mirë që edhe me qeverinë e re italiane kemi një marrëdhënie të shkëlqyer, në vazhdën e një tradite. E falenderova për angazhimin për të shtyrë përpara procesin e integrimit. Italia mbetet partneri jonë kryesor dhe që nuk është kursyer asnjëherë në mbështetjen e kthimit të Shqipërisë në një demokraci funksionale. Diskutuam edhe reformën në drejtësi, legjislacionin e ri anti-KÇK, krimit të organizuar, edhe mbi njësinë speciale antikorrupsion, SPAK. Ministri më ka konfirmuar gatishmërinë për të mbështetur me asistencë teknike, por edhe me njerëz në terren në bashkëpunim konkret dhe të përditshëm”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi nevojën e thellimit të partneritetit strategjik dhe në afrimin e të gjitha fushave me interes të përbashkët.

Nga ana e tij kryediplomati italian tha se ndodhet në Shqipëri për të ofruar mbështetjen pas tërmetit, ndërsa tha se vizitoi sot një kamp të çadrave që është ngritur pikërisht nga departamenti i emergjencave civile italiane, në Vorë.

“I ofrova Kryeministrit mbështetjen e palëkundur në rrugën e integrimit. Italia këmbëngul në marrjen e një vendimi pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë. I shpreha Kryeministrit dëshirën që gjithë faktorët politikë të angazhohen në arritjen e një klime që të mos pengojë rrugën e integrimin duke favorizuar uljen e tensioneve dhe gjetjen e dialogut”, tha ministri italian.

Di Maio nënvizoi nevojn për të forcuar luftën ndaj krimit të organizuar. Lidhur me ndihmën për të prekurit nga tërmeti, ai tha se në ditët në vijim në takimet edhe në nivel europiian, Italia do të bëjë të pranishme ndihmesën që i duhet dhënë Shqipërisë, për t’iu riktheyer normalitetit dhe për këtë do të punohet fuqishëm edhe në konferencën e donatorëve. /a.y/noa.al