Transmetuar më 11-12-2019, 14:45

85 gram e kërpudhave të bardha në ditë mund të na mbrojë nga diabeti. Kjo u zbulua nga një ekip studimor ndërkombëtar i udhëhequr nga studiues të Departamentit të Shkencave Veterinare dhe Biomjekësore në Universitetin Shtetëror të Pensilvania, të cilët bashkëpunuan me kolegë të Institutit Wuhan të Akademisë së Shkencave Kineze.

Studiuesit, të koordinuar nga Profesor Margherita T. Cantorna, profesore e Imunologjisë Molekulare në Kolegjin e Shkencave Bujqësore të Universitetit Amerikan, kanë treguar që këto kërpudha janë në gjendje të modifikojnë mikrobin e zorrëve, duke favorizuar rritjen e baktereve të afta për rregullimin e niveleve të glukozës në mëlçi.

Efekti që rezulton është aq pozitiv sa që jo vetëm që mund të na ndihmojë të luftojmë dhe parandalojmë diabetin, por edhe një seri patologjish metabolike të lidhura me thithjen e sheqerit.

Për të demonstruar efektet e dobishme të kërpudhave të bardha champignon (Agaricus bisporus), një nga speciet më të shitura dhe të vlerësuara në të gjithë botën, Cantorna dhe kolegët kryen eksperimente me minj, duke i ushqyer ato me një pjesë të përditshme të kërpudhave ekuivalente me 85 gram për një qenie.

Një analizë e florës bakteriale të brejtësve të trajtuar tregoi një bum ’të vërtetë në kolonitë e baktereve të gjinisë Prevotella, të njohura për aftësinë e tyre për të prodhuar acide yndyrore me zinxhir të shkurtër në gjendje të rregullojnë nivelet e sheqerit në trup.

Në fakt, ata veprojnë drejtpërdrejt në gjenet e përfshira në menaxhimin e glukozës (glukoneogjeneza e zorrëve): krijuesit kryesorë të këtij procesi janë acidet yndyrore propionate dhe succinate, të cilat në modelet e miut kanë treguar qartë se përmirësojnë homeostazën e glukozës.

"Menaxhimi i glukozës më mirë ka implikime për diabetin, si dhe për sëmundjet e tjera metabolike", tha autori kryesor i studimit, duke shtuar se një modifikim diete ndryshon florën bakteriale të zorrëve dhe se kjo e fundit ka efekte të dukshme të dobishme për shëndetin tonë.

Siç dihet, në të vërtetë, diabeti – i njohur edhe si sëmundja ‘e gjakut të ëmbël’ – është i lidhur me mungesën e insulinës, hormonin që rregullon nivelet e glukozës, dhe kjo është arsyeja pse kërpudhat champignon mund të jenë aleatë shumë të vlefshëm në mbrojtjen nga sëmundja. /b.l/noa.al/