Transmetuar më 11-12-2019, 14:17

Ambasadori gjerman Peter Zingraf takoi ditën e sotme Prokurorin e ri të Përgjithshëm Olsian Çela të cilin përgëzoi atë për detyrën që mori në datën 5 dhjetor.

Ambasada gjermane bën me dije se gjatë takimit Zingraf tha se, “Gjermania, së bashku me Bashkimin Europian, ka mbështetur gjithmonë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe do ta vijojë të bëjë këtë edhe në të ardhmen”.

Po ashtu më tej shtoi se zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm përmes parlamentit pas verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një hap thelbësor në zbatimin e reformës në drejtësi dhe do të konsolidojë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

“I uroj Prokurorit të ri të Përgjithshëm shumë forcë dhe suksese në detyrën e tij të rëndësishme”, u shpreh ambasadori. /a.y/noa.al