
Ish-kryeministri Sali Berisha kujton sot 29-vjetorin e Lëvizjes Studentore, që u ngrit në një marshim masiv më 8 dhjetor të vitit 1990 për të rrëzuar regjimin komunist, duke i hapur dyert demokracisë, pas 45 vitesh diktaturë.
Përmes një mesazhi të gjatë në “Facebook”, Berisha shkruan se 8 dhjetori është një ndër datat më të rëndësishme në historinë e lirisë së popullit shqiptar.
“Sot 8 dhjetor, dita e lirisë dhe engjëjve të saj, studentëve liberator! Të dashur miq, sot është 29 vjetori i fillimit më 8 dhjetor të vitit 1990 nga rinia studentore të revolucionit demokratik, i cili si një uragan i vërtet në 3 ditë ndau epokat dhe vendosi në vendin më monist të planetit pluralizmin politik.
Ndaj sot mbarë kombi shqiptar nderon 8 dhjetorin si një ndër datat më të rëndësishme në historinë e lirisë së tij. Më 8 dhjetor të vitit 1990 studentët e universitetit të udhëhequr nga tribuni legjendar, studenti Azem Hajdari u ngritën me guxim të jashtëzakonshëm në Tiranë në lëvizjen studentore për të përmbysur diktaturën komuniste më të egër në Europë”, shkruan Berisha.
Më tej ai shprehet se, “Revolucioni Demokratik që nisi më 8 dhjetor, me shpejtësi do do të shndërrohej në lëvizjen më të fuqishme paqësore në historinë e vendit dhe, ne në një hark kohor të shkurtër prej 72 orësh, me mbështetje të fuqishme të intelektualëve dhe qytetarëve të Tiranës do gjunjëzonte rregjimin komunist dhe do ti impononte atij pranimin e pluralizmit politik në Shqipëri.
Gjer në mëngjesin e 8 dhjetorit të vitit 1990 shqiptarët në Shqipëri përjetonin shtypjen e diktaturës më të egër, ndërsa shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi jetonin pushtimin barbar serb dhe kishin mbetur kolonia e fundit në Europë. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990 hodhi themelet e lirisë dhe ndërtimit të shoqërisë së lirë në Shqipëri të daljes së vendit nga izolimi, të hapjes dhe integrimit europian dhe euroatllantik të tij. Kjo lëvizje, çështjen kombëtare, nga një çështje të tradhëtuar nga klika hoxhiste, e vendosi në piedestalin e merituar për zgjidhjen e saj”.
Sipas Berishës, “Idealet e rinisë studentore të dhjetorit 1990 ishin dhe mbeten idealet më të larta më fisnike, njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve. Këto ideale, energjia e tyre i bën shqiptarët të lire dhe me dinjitet njerëzor, vendosën në Shqipëri sistemin demokratik të bazuar në tregun e lirë, anëtarësuan Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO, i dhanë asaj statusin e vendit kandidat në BE. Kosova u bë e pavarur dhe shqiptarët janë më të lirë se kurrë në historinë e tyre.
Ndaj dhe 8 dhjetori i vitit 1990 është dita e nderimit të lirisë dhe vlerave të saj nga mbarë shqiptarët, e nderimit të veprës së pavdekshme të Azem Hajdarit dhe studentëve liberator, që me guximin e tyre në lartësinë e një legjende shkallmuan dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët!”
Në fund ai thekson se, sot pas 29 viteve qytetarët shqiptarë festojnë dhe nderojnë këtë ditë pasi brenda një viti shndërruan në shumicë partinë e idealeve të dhjetorit PD. “Ata sot janë më e vendosur se kurrë të shporrin nga pushteti narkomafien dhe shtetin e saj me në krye bastardin e bllokmenëve hoxhist, që i mbylli Shqipërisë dyert e integrimit në Bashkimin Europian, Edvin Kristaq Mafinë apo tradhëtarin e kombit shqiptar, Zografin Bis.
Sot përsëri në këtë udhëkryq të rrezikshëm në të cilën ndodhet Shqipëria, shpresa e vetme për të përmbysur regjimin e kakistokracisë të Edvin Kristaq Mafisë është rinia e Shqipërisë. Ndaj dhe duke i uruar asaj gëzuar këtë ditë, ju bëj thirrje të rinjve shqiptar të ngrihen të frymëzuar nga kjo Ditë e Lirisë në lartësinë e idealeve të tyre dhe të përmbysim sa më parë rregjimin e Edvin Kristaq Mafisë dhe narkomafies së tij shtetërore. Nderim përjetë Azem Hajdarit dhe studentëve libertor të Dhjetorit 1990. Zoti e bekoftë Rininë e Shqipërisë dhe misionin e saj”, përfundon mesazhin e tij Berisha./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





