Transmetuar më 07-12-2019, 10:24
Pamje nga granata e hedhur

Policia e Lezhës thotë se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në fshatin Pllanë ku në oborrin e banesës së një personi është hedhur një granatë ofensive por nuk ka shpërthyer.

Nga hetimet e kryera është identifikuar dhe arrestuar autori i dyshuar i ngjarjes, 28-vjeçari Preng Doda, banues në Mirditë.

I riu dyshohet se mbrëmjen e së premtes, ka hedhur në oborrin e banesës së vjehrrit të tij, shtetasit Z.D., banues në fshatin Pllanë në Lezhë një granatë ofensive të cilës i kishte hequr siguresën, por nuk ka shpërthyer.

Në vendngjarje kanë shkuar ekspertët xhenier të Reneas, të cilët kanë bërë shpërthimin e kontrolluar të granatës

Mësohet se i dyshuari Preng Doda, prej disa kohësh kishte mosmarrëveshje me bashkëshorten dhe ushtronte dhunë fizike ndaj saj dhe për këtë arsye e shoqja ishte e pajisur me urdhër mbrojtje dhe kishte shkuar tek i ati.

Lidhur me këtë ngjarje materialet iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese e municionit”. /a.y/noa.al/