Transmetuar më 07-12-2019, 07:46

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë të mëngjesit të kësaj të shtune, lidhur me përballimin e situatës së tërmeteve, Kryeministri Edi Rama, kërkoi që të nisë blerja e apartamenteve.

Ai tha se Durrësi është pak më problem, mirëpo po përgatitet edhe thirrja për të dhënë leje për blerjen e apartamenteve.

“Çështje është e pak ditëve. Është e rëndësishme të informohet publiku me një thirrje për ata që kanë apartamente stok me një çmim të ulët. Do marrim çmimin më tavan të ulët që do të përcaktojmë, përndryshe nuk do të procedojmë. Nuk është rasti për të blerë apartamente në funksion të fitimit të firmave”, u shpreh Rama.

Ai tha se puna për ligjin e posaçëm për rindërtimin po ecën dhe duhet kaluar brenda seancës së fundit parlamentare të këtij viti më 19 dhjetor.

Sipas tij, duhet të përgatiten të dhënat se ku do të ndërtohet.

“I jemi referuar pronës tokë-shtet, por Kap Ça të Kapësh ka bërë të veten, në kohën kur kemi bërë punë të tjera në gjithë këtë kohë dhe duhet verifikuar në hipotekë çdo pronë. Që mos të gjendemi me surpriza, kur të shohim që është tokë e cënuar dhe e kafshuar nga KÇK. Raporti duhet të jetë gati javën që vjen”, deklaroi kreu i qeverisë. /a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd