Transmetuar më 06-12-2019, 16:08

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar për ftesën e kryeministrit Rama pas tërmetit të 26 nëntorit.

Nga Durrësi, Basha tha se të dyja palët kanë detyrat e veta duke shtuar se duhet ditur numri i saktë i banorëve të pastrehë pas lëkundjeve të forta.

Në një bashkëbisedim me qytetarët, Basha tregoi përse nuk e pranon ftesën e kryeministrit për dialog.

"Bashkërendohuni me pushtetin. Uluni, i lëmë ndasitë politike. Unë jam plotësisht dakord që jeni opozitë dhe keni frontet të ndara, keni vizionin tuaj", i tha një banor.

"Qeveria ka detyrat e veta, opozita ka detyrat e veta. Ju po e shikoni, ne vetëm luftë politike nuk po bëjmë.

E rëndësishme është që ne të sjellim zërin dhe shqetësimet tuaja. Ky është roli ynë. Nëse ne e marrim zërin tuaj dhe e kthejmë në politikë për karriken tonë, ne bëjmë gabim. Nëse ne çojmë shqetësimin tuaj atje, ne e kemi bërë detyrën tonë, sepse po nuk e bëmë ne, nuk ka kush ta bëjë.

Edhe po të ishim në role të ndryshme, ne në qeveri dhe ata në opozitë, këtë do kërkoja nga ata. Nuk do kërkoja të bëja fotografi bashkë. Do t’u kërkoja ‘merrni zërin e njerëzve na e sillni dhe shikoni si po e bëjmë ne punën” Se këtë detyrë ka opozita. Po u shkri opozita, nuk ka më kush t’ju mbrojë", iu përgjigj Basha para të gjithë qytetarëve të pranishëm.

Kryedemokrati Basha shtoi se nuk do lejojë që të bëhen dallavere në kurriz të qytetarëve./noa.al/