Transmetuar më 06-12-2019, 11:37

Presidenti Ilir Meta u ndal ditën e sotme në Krujë dhe në kalanë e Krujës, për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Duke parë dëmet në kala, ai tha se gjendja është shqetësuese për arsye historike.

“Ka një histori të lëvizjeve gjeologjike të vetë Krujës por në mënyrë të veçante pas situatës së krijuar pas tërmetit të 26 Nëntorit. Është një monument mjaft i rëndësishëm. Po punohet për të bërë të gjitha vlerësimet në mënyrë që të merren masa për të ruajtur këto vlera që janë edhe krenaria jonë kombëtare. Përpjekjet po bëhen dhe duhet të vazhdojnë me qëllim përmirësimin e koordinimit të gjithë institucioneve”, u shpreh Meta.

I pyetur nëse do të ketë një datë tjetër ku do të thirret populli në mbrojtje të Kushtetutës, pas anulimit të 8 dhjetorit, ai tha se Presidenti e mbron Kushtetutën çdo ditë por tani është koha për t’u kthyer në normalitet.

“Tubimi do të thirret kur të kthehet jeta në normalitet si para tërmetit të 26 nëntorit”, deklaroi kreu i shtetit. /a.y/noa.al/