Transmetuar më 06-12-2019, 10:51

Në mbledhjen e mëngjesit të sotëm të qeverisë, Kryeministri Edi Rama mohoi zërat se administrata është detyruar që të lërë pagën në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, duke e cilësuar gjithçka të pavërtetë.

Ish-deputetja demokrate Albana Vokshi publikon dokumentin me urdhrin që sipas saj detyron policët të japin para nga rroga për termetin nga 20 dhe 30 mijë lekë të reja, në varësi të pozicionit që kanë.

“Sa më e madhe fatkeqësia, aq më intensive dhe e pamëshirshme makineria e propagandës së Edi Ramës që përmes mashtrimit nuk kursen askënd as fëmijë, as persona me aftësi ndryshe, as gra e të moshuar, as policë apo profesionistë. Sot, Kryeministri Rama mashtroi përsëri kur tha që nuk i kanë detyruar punonjësit të japin lekë nga rroga e tyre. Po postoj eshe një herë Urdhërin e paligjshëm 1933, dr 27.11.2019 që urdhëron mbajtjen e pjesshme të pagave të policëve në Shkodër”, thotë Vokshi.

Ajo shton se duke keqpërdorur qëllimshëm vendosjen antikushtetuese të gjendjes së jashtëzakonshme, interesi kryesor i Kryeministrit këto ditë është të hapë sheshe ndërtimi, duke nënvizuar se kjo është arsyeja se pse nuk i’u jep qytetarëve akt ekspertimin per shtëpitë e pallatet.

Nga ana e tij Rama tha se, “Refuzoj atë shpifjen që kemi detyruar punonjësit të japin rrogën se nuk kemi lekë. Asgjë nuk është bërë me detyrim!” /a.y/noa.al/

Punonjësit janë detyruar të japin rrogën? Rama flet për herë të parë