Transmetuar më 05-12-2019, 20:56

Sulmuesi i Tiranës, Michael Ngoo, duket se e ka përjetuar vërtetë keq tërmetin shkatërrues që goditi Shqipërinë në datën 26 nëntor.

Në një rrëfim për “Supersport”, anglezi deklaron se një ndjenjë të tillë e përjetonte për herë të parë në jetën e tij, dhe tregon me detaje momentet dhe veprimet e tij në ato orë të vështira për të gjithë banorët në Shqipëri.

"Sigurisht që ditën e parë isha i trembur. Një tërmet aq i madh ishte diçka që ndodhte për herë të parë në jetën time. Jetoj në katin e 7-të të një pallati, dhe e ndjeva që lëkundej i tëri. Më shkoi mendja që do ishte diçka natyrore ose një bombë. U çova menjëherë dhe thashë me vete: ‘Hej, çfarë po ndodh?’. Iu drejtova Zotit dhe i thashë: ‘Më fal mëkatet e mia’. Ose si i thoni ju në shqip: ‘Zot kam bërë gabime’. Dhe kur ndaloi, thashë: ‘Faleminderit’", tha Ngoo.

"Kur mbaroi, mora çelësat dhe pantallonat, që të zbres poshtë. Aty pashë shumë njerëz, dhe kuptova që ishte një tërmet. Ishte një situatë serioze, pasi shumë njerëz humbën jetën. Ngushëllimet dhe mendimet e mia shkojnë për shpirtrat e atyre që u larguan nga kjo jetë. I telefonova Hasanit dhe e pyeta se çfarë ishte kjo. Më tha se e kishte ndjerë, dhe më pas qëndrova poshtë 2 orë, për t’u ngjitur sërish në shtëpi. Nuk ishte diçka normale. Është diçka që nuk e kam përjetuar më parë në jetë. Ishte një situatë shumë e trishtë, dhe mendja të shkon tek personat që humbën jetën", ka thënë ai më tej.