Transmetuar më 05-12-2019, 19:37

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në parim të gjitha ndryshimet në ligjet fiskale që janë pjesë e paketës fiskale, si dhe buxhetin e vitit 2020.

Me 92 vota pro ka kaluar buxheti i vitit 2020.

Janë miratuar edhe aktet normative të propozuara nga Këshilli i Ministrave, ku do të dhurohen 17 banesa në pronësi të bashkisë së Tiranës 17 familjeve të prekura nga tërmeti.

Gjithashtu u miratuan propozimet për pensionin special për pensionistët që kanë humbur familjarët e tyre në vlerën e 60 mijë lekëve në muaj dhe paga prej 100 mijë lekë për familjet që humbën familjarët nga tërmeti për gjithë jetën.

Pavarësisht se projektbuxheti i vitit 2020 u miratua në parim, ai pritet të pësojë ndryshime gjatë diskutimeve nen për nen në Komisionin e Ekonomisë, për të krijuar hapësira për të kaluar fonde tek programi i rindërtimit.

Ish- ministri i Financave Arben Ahmetaj, ka bërë të ditur disa nga shifrat që janë parashikuar aktualisht se do të jenë pjesë e programit. Sipas tij, puna do të nisë me një fond prej 200 milionë dollarësh në dispozicion, por që nuk do të cenojnë parametrat e buxhetit.

Ahmetaj ka theksuar se gjatë këtyre ditëve janë strehuar në hotele 4000 qytetarë dhe se kostoja e akomodimit në hotele arrin në 2.4 milionë dollarë.

Gjatë seancës nuk kanë munguar akuzat nga opozita e re, e cila është shprehur se qeveria duhet të vendosë përpara ligjit përgjegjësit e këtij dëmi. /NOA.al