Transmetuar më 05-12-2019, 18:31

Partia Demokratike i ka drejtuar një kërkesë me pesë pika Qeverisë dhe Bashkisë së Krujës, ku kërkon informacion mbi dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në kërkesën e drejtuar institucioneve, PD kërkon informacione shtesë nëse është inspektuar në pallatet e shembura në Thumanë.

Kërkesa me pesë pika:

1. Pas tërmetit të datës 21 Shtator 2019, a ka kërkuar zyrtarisht dhe a ka kryer Bashkia Krujë verifikimin e sigurisë dhe gjendjes së dy pallateve të shkatërruara në Thumanë nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion dokumentin zyrtar që e provon këtë. A është informuar ose raportuar pranë Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile (KNEC) për gjendjen e këtyre pallateve?

2. A u verifikuan dy pallatet në Thumanë pas tërmetit të 21 Shtatorit? Nëse po, kush janë ekspertët që u angazhuan dhe çfarë vlerësimi bënë ata? Lutemi një kopje të aktit të konstatimit/verifikimit të hartuar dhe nënshkruar prej tyre.

3. A u lajmëruan banorët për gjetjet e ekspertimit/verifikimit?

4. Nëse godinat ishin vlerësuar si të rrezikshme, çfarë masash u morën për strehimin e banorëve dhe ndalimin e hyrjes në ato banesa?

5. Kush lejoi futjen e banorëve në pallatet e shembura në 26 Nëntor 2019 dhe mbi çfarë bazë u bë kjo? /k.k/noa.al/