Transmetuar më 04-12-2019, 11:33

Kosova ishte e para që ju gjend pranë Shqipërisë në tragjedinë e tërmetit të 26 nëntorit. Ishin grupet e kërkim-shpëtimit nga Kosova që mundësuan shpëtimin e dhjetëra njerëzve nën rrënoja.

Për heroizimin dhe solidaritetin vëllazëror, Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e Artë të Shqiponjës Task Forcën e Kombinuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Ekipit të Zjarrfikësve të Kosovës, Njësitit K9 të FSK-së, Ekipit të Koorporatës Energjetike, Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Artanës si dhe Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Trepçës.

Në fjalën e tij presidenti Meta ndërsa nuk kurseu falenderimet për shtetin dhe popullin e Kosovës, tha se termeti provoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.

"Kosova duhet të jetë krenare për Forcat e Sigurisë së saj por edhe të policisë që demonstruan profesionalizëm të lartë dhe bashkëkohor. Ju shpëtuat shumë jetë, ndihmuat shumë të lënduar dhe na u gjendët pranë në momentet më të vështira. Çdo vend i NATO-së do të merrte shembull nga Kosova. Kosova me zemër të madhe ka bij e bija trima të cilët do ti falenderoj secilin prej tyre. Termeti ishte i fortë por themelet e solidaritetit tonë kombëtar ishin me të forta se kurrë”, tha kreu i shetteit shaiptarë Ilir Meta.

Nga ana e tij, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj  në fjalën e tij u shpreh se kur Kosova dhe Shqipëria janë bashkë nuk ka tërmet që i ligështon shqiptarët. Haradinaj tha se Shqipëria dhe Kosova nuk janë më terrin e vetmisë së madhe dhe kjo sipas tij, u faktua nga ndihmat dhe solidariteti që treguan shumë vende të rajonit, por jo vetëm.

“Ne nuk jemi në dimrin e vetmisë së madhe. Na erdhën në ndihmë shumë miq, dhe kjo është një rrugë e duhur se ne jemi të rreshtuar në drejtimin e duhur. Pas i qajtëm dhe i varrosëm njerëzit tanë, tani nis beteja e vërtetë për të gjallët. Ne jemi  unik si kurrë më parë, të majtë dhe të djathtë, të ngrihemi mbi interesat dhe të punojmë për ta.

Ne kemi reaguar si shtet me të gjitha resurset që në orët e para të 26 nëntorit fatal. Vetëm kjo Kosovë na bën më të vlefshme për Shqipërinë dhe për rajonin, SHBA, NATO. Të bashkuar  nuk ka tërmet që në ligështon. Urime 107-vjetori i Forcave të Shqipërisë”, tha Haradinaj.

Në Prishtinë u zhvillia Ceremonia e vlerësimit të Task Forcës së Kombinuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Ekipit të Zjarrfikësve të Kosovës, Njësitit K9 të FSK-së, Ekipit të Koorporatës Energjetike, Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Artanës si dhe Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Trepçës./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd