Transmetuar më 04-12-2019, 10:58

Banorët e “Astirit” në Tiranë kanë hapur derën për bashkëqytetarët e tyre, të cilët janë prekur nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka takuar sot banorët e dëmtuar dhe ata të cilët janë strehuar tek zona e Astirit në kryeqytet.

Në bashkëbisedim me banorët, lideri demokrat tha se qytetarët e kësaj zone krahas tërmetit natyror janë përballuar edhe me atë që ai e quan si “tërmet shtetëror”.

“Këta janë njerëz që kanë vuajtur nga një tjetër tërmet nga tërmeti i shtetit, por megjithatë kanë hapur zemrat e tyre”, tha Basha.

Basha bisedoi me një nënë të moshuar, e cila nuk ngurroi të përçonte një mesazh te brezat e rinj, ndërsa kërkoi prej tyre të punojnë fort për të ndërtuar Shqipërinë dhe mos të largohen nga vendi.

“Unë jam një moshë e vjetër dhe e kam shumë të vështirë të largohem nga vendi im. Kemi ndërtuar Shqipërinë. Kemi punuar nëpër ara. Ky brez që vjen, duhet të ndërtojë Shqipërinë dhe të mos largohet nga Shqipëria. Edhe sikur të vdes nuk jam pishman”, rrëfeu e moshuara.

Nga ana e tij Basha tha se, “Ne do dalim nga kjo situatë. Do ta kalojmë bashkë si një familje e madhe”./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd