Transmetuar më 04-12-2019, 08:15

Modelja e njohur shqiptare Xhesika Berberi ka udhëtuar nga ShBA drejt Shqipërisë prej ditës së hënë, për të takuar familjarët e për të dhënë kontributin e saj te të gjitha familjet e prekura nga tërmeti.

E ftuar në “Ftesë në 5’ me Bieta Sulon, modelja tregoi se është shumë e prekur nga kjo situatë dhe do përpiqet të ndihmojë ata që kanë nevojë me aq sa do të ketë mundësi.

Ajo gjithashtu u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, që të jenë sa më të bashkuar dhe pranë njëri-tjetrit në këto ditë të vështira.

Gjatë ditës së martë Xhesika vizitoi disa familje në Ndroq, me shpresën për të ndihmuar në rindërtimin e disa shtëpive të shkatërruar nga tërmeti në atë zonë.

Me zërin që i dridhej, ajo kujtoi momentin kur mësoi për tërmetin, “Gjithë kohën në shtëpinë time, eshtë ndjekur vetëm televizion shqiptar, vetëm lajme. Gjithë kohës kam ndjekur portalet dhe ishte shumë e dhimbshme dhe e tmerrshme të shikoje vendin tënd dhe njerëzit e tu në këtë dhimbje të tejskajshme. Nga familja ime gjithë janë shumë mirë, falenderoj Zotin. Disa nga kushërinjtë e mi kanë pësuar dëme por fatmirësisht janë vetëm materiale. Por është një dhimbje shumë e madhe, është një dhimbje shumë e madhe të shikosh këta njerëz se sa janë duke vuajtur, është një plagë e hapur, prandaj neve duhet të mblidhemi të gjithë bashkë, pasi të gjithë bashkë mund të bëjmë një ndryshim dhe mund t’iu japim pak shpresë këtyre njerëzve. Më ka tronditur në shpirt”.

Kujtojmë se modelja, bashkë me mikeshën e saj të ngushtë Adrola Dushi, kanë hapur një llogari në “GoFundMe”, aty ku kanë arritur të grumbullojnë rreth 37 mijë dollarë.