Transmetuar më 03-12-2019, 12:30

Kryeministri Edi Rama në një videomesazh dërguar qytetarëve tha se detyra ia kërkon të largohet drtejt Londërs për të marrë pjesë në samitin e NATO-s ku do të jetë sot dhe nesër dhe më tej do të ndalojë në Itali, ku do të flasë për pasojat e tërmetit dhe ku do të kërkojë ndihmë nga “shtëpia jonë e dytë”- Italia.

Ai u zotua se Shqipëria e plagosur kaq keq do të ringrihet më e fortë nga kjo tragjedi që na rrëzoi të gjithëve.

Rama tha se askush nga të dëmtuarit e tërmetit tragjik nuk do të mbetet jashtë e pa strehë dhe se hotelet do i mikëpresin deri në minutën e fundit nevojtarët.

“Ata që nuk ndahen nga toka do i pajisim me çadra, të më falin të gjithë ata që nuk janë sistemuar, por ju lutem të bëjnë durim! Ne nuk po rrimë duarkryq dhe nuk po bëjmë me sikur dhe as kemi ndërmend të flemë gjumë pa mbuluar me strehë nevojtarin e fundit dhe pa mbyllur programin e akomodimit përfundimtar në një banesë më të mirë se ajo që kishin para tërmetit. Durim dhe ju përgjërohem sa më pak televizion dhe hiç qenefe e portale, më falni, por të keqen e qenefit në fakt kur sheh se cfarë erë të rëndë sjellin burimet e informimit, jo këtu por edhe në Kosovë”, u shpreh Rama.

Në mbyllje ai dërgoi përqafime dhe kurajo e shpresë se çfarë nuk të vret të bën më të fortë.

“Nuk është e madhe të mos rrëzohesh asnjëherë por të ringrihesh më i fortë. Shqipëria e plagosur kaq ke do të ringrihet më e fortë nga kjo tragjedi që na rrëzoi të gjithëve”, deklaroi Rama. /a.y/noa.al/