
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë mëngjesin e sotëm, Kryeministri Edi Rama kërkoi që Prokuroria e Përgjithshme të bëjë të gjithë punën e nevojshme për të identifikuar përgjegjësitë përkatëse lidhur me pasojat e tërmetit.
Ai i bëri thirrje të gjithë ndërtuesve publikisht që të mos i shmangen përgjegjësisë dhe të mos gënjejnë veten se me shpresën se kjo gjë mund të kalojë pa u lagur.
"Disa prej tyre më kanë çuar mesazh duke nxjerrë lloj lloj bishtash por më ka bërë përshtypje arsyetimi se jemi të falimentuar, të shesin shtëpitë e tyre, të marrin kredi, të bëjnë çfarë të duan, por liria është më e shtrenjtë se pasuria dhe nëse nuk reagojnë me humanizëm dhe përgjegjshmëri mund t’i humbin të dyja. Ministria e Infrastrukturës dhe e Kulturës, që është e përfshirë në Komitetit Kombëtar të përgatisin një akt për të filluar transformimin e Porto Romanos, e cila është një zonë skandali prej vitesh në një park të madh për Durrësin. Buxheti i programit të Komitetit të Rindërtimit do të këtë një zë të veçantë, që të dalim nga kjo situatë post-katastrofike. Jetën nuk e kthejmë dot më, por njerëzit që kanë humbur shtëpitë do i rregullojmë”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se Tirana dhe Durrësi të ndriçohen për Vitin e Ri si qytetet e tjera.
Kreu i qeverisë tha se policia kriminale duhet të japë së shpejti të gjitha konkluzionet për të gjitha godinat që në Durrës janë dëmtuar rëndë dhe janë bërë të pabanueshme dhe ato të dëmtuara, që riparohen.
Rama deklaroi se skenari i tij i preferuar është ndërtimi i disa qytezave të reja dhe objektivi është që të arrihen në një program rindërtimi, që rezultati të jetë krenari kombëtare.
“Jo banesa sociale të tipit që kemi njohur deri tani, që bëhen për të varfrit dhe që e kanë të shkruar në ballë për gjithë jetën. Por të ndërtojmë në Durrës një lagje komplet të re, të jetë më e bukura pas 1990. Një lagje të re nga e para në Durrës, me infraskturë, kanalizime, ujësjellës, kopësht, çerdhe, etj. Në Tiranë kemi në skenar për të ndërtuar një lagje të re dhe një tjetri për të ndërtuar dy më të vogla, do ta shtrojmë këtë cështje në një konsultë që po përgatit ministria e Kulturës me arkitektë të huaj të famshëm me kontribut. Edhe në Kurbin do të ndërtojmë një lagje të vogël të re. Kemi një objektiv për 10 mijë apartamente, sepse mund të përfshijmë jo vetëm ata që janë të prekur por edhe ata me probleme sociale, por edhe të mos bëjmë gabim, që ndërtimi i lagjeve të reja krijoi vatra njerëzish të ndarë nga pjesa tjetër dhe krijoi tensione të vijueshme. Të përzihen njerëzit e të gjitha shtresave”, tha ai. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





