Transmetuar më 02-12-2019, 23:40

Një tërmet i fuqishëm dhe me pasoja katastrofike goditi vendin javën që lamë pas.

Tërmeti shkaktoi mbi 50 të vdekur dhe qindra të plagosur, ndersa edhe shumë dëme materiale, kryesisht në Durrës dhe në Thumanë.

Dy sizmologët Llambro Duni dhe profesori Shyqyri Aliaj që ka drejtuar për disa vite Institutin e Sizmiologjisë, kanë qetësuar shqiptarët me shpjegimet për pasgoditjet.

I ftuar në Open në Top Channel, sizmologu Llambro Duni tha se vëmë re një qetësim të pasgoditjeve.

“Më duhet ta konfirmoj këtë. Kemi vënë re që nga e shtuna në darkë që kemi një qetësim të psgoditjeve dhe kemi nga një tërmet të shkallës 4.5 dhe 4.4 të shkallës rihter. Pra pas një situate qetësuese ndodh një tërmet po të themi disi i fortë. Sot edhe tërmetet kanë një zbritje në magnitudë. Pasgoditja e parë ishte me magnitudë 5.6. zbriti në 5.1 dhe deri në 4.4”- tha sizmologu Duni.

Nga ana e tij, Shyqyri Aliaj duke folur në emisionin “Mbrëmje në Abc”, u shpreh se nuk priten më tërmete.

Ai theksoi se pasgoditjet e termetit të 26 nëntorit janë në rënie.

I pyetur nga Mirela Milori nëse pritet një termet i tretë, i fuqishëm, ai tha prerazi “JO”, duke bërë edhe sqarimin me fakte shkencore.

"Jo nuk do të ndodhë! Çdo tërmet ka një zonë vatre, ka volum, ka shtrirje… Vatrat e vendit tonë janë vatra në koren e tokës që shkojnë nga 50 deri në 70 km. Vatra e termetit të fundit ishte me shtrirje të vogël, 40 km nga Durrësi deri në Gjirin e Drinit. Në këtë segment 40 km do kohë që të përpunohet e gjitha. Pra këto pasgoditje që kanë ndodhur këto ditë kanë ardhur pasi po përpunohet vatra. Tashmë pasgoditjet po shkojnë drejt shuarjes. Aktiviteti sizmik po shuhet. Në ditët në vijim Tirana nuk duhet të shqetësohet. Pasgoditjet mund të ndjehen pak në zonat bregdetare. Në ditët në vijim këto do të rrallohen, mund të jetë ndonjë me magnitudë më pak se 4, por më të mëdha nuk do të ketë", tha Aliaj./a.k/noa.al/