Transmetuar më 02-12-2019, 21:44

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet pas deklaratave të ashpra të kryeministrit Edi Rama për gazetarët por edhe pas mbylljes së disa portaleve e faqeve të “Facebook”-ut.

Në një reagim në “Twitter” Basha shkruan:

“Të shfrytëzosh këtë fatkeqësi për të mbyllur portale, faqe fb e rrjete të tjera sociale dhe të kërcënosh gazetarët nga mëngjesi në darkë vetëm pse janë kritikë me qeverinë dhe sjellin zërin e qytetarëve të lënë në harresë dhe pa asnjë ndihmë, është kriminale”, shkruan Basha.

Kryedemokrati shkruan më tej se Prokuroria sipas tij duhet të nisë menjëherë hetimet për dhunimin e fjalës së lirë nga qeveria:

“Kjo është mënyra për të mbytur zërin e qytetarëve dhe të vërtetës që vjen përmes medias dhe portaleve të ndryshme. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet për dhunimin e fjalës së lirë nga qeveria. Me Kushtetutë dhe ligj kjo përbën një krim të rëndë që duhet ndëshkuar”./a.k/noa.al/