Transmetuar më 02-12-2019, 20:48

Ish-deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi me anë të një statusi në “Facebook”, ka reaguar për sulmet sipas saj që kryeministri Edi Rama iu bën mediave, duke i cilësuar shpesh si “kriminale”.

Vokshi shprehet se nuk ka gazetarë kriminelë, por ka kryeministër që bën propagandë kriminale me fatkeqësinë.

Vokshi shprehet më tej se “kriminale është që të përpiqesh të shtysh edhe një ditë duke gënjyër, duke mashtruar qytetarët për të fshehur gjurmët e mëdha të krimit”.

Vokshi shton se Partia Demokratike inkurajon gazetarët të mos intimidohen nga gjuha e dhunshme, e turpshme, e papranueshme sipas saj e Edi Ramës.

“Nuk ka gazetarë kriminelë! Ka Kryeministër që bën propagandë kriminale me fatkeqësinë

Për të mbuluar përgjegjësinë direkte për keqmenaxhimin e emergjencës pas tërmetit, Edi Rama ka nisur të sulmojë gazetarët, të cilët përcjellin shqetësimet e vërteta të qytetarëve në zonat e prekura.

Nuk janë kriminelë gazetarët që raportuan njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë se Spitali i Durrësit po evakuohej.

Nuk janë kriminelë gazetarët pse një qytetar u lejua të zhvendoset nga spitali i Durrësit pas dhe, fatkeqësisht, humbi jetën rrugës për në Spitalin e Beratit.

Kriminale në këtë histori është përdorimi politik nga Edi Rama i tragjedisë, i tronditjes, i skamjes, i humbjes së besimit dhe sigurisë për jetën dhe banesën.

Kriminale është që të përpiqesh të shtysh edhe një ditë duke gënjyër, duke mashtruar qytetarët për të fshehur gjurmët e mëdha të krimit.

Në emër të Partisë Demokratike, inkurajoj gazetarët të mos intimidohen nga gjuha e dhunshme, e turpshme, e papranueshme e Edi Ramës.

Ngritja e zërit nga gazetarët, pro interesit publik, është arma e vetme për të zhbërë presionin kriminal të Edi Ramës”, shkruan Vokshi në rrjetet sociale./a.k/noa.al/